Të gjitha mediat e mëdha ndërkombëtare i kanë bërë jehonë arritjes së Shqipërisë në Euro 2024, duke dalë si vend i parë në një grup mjaft të vështirë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur në Itali për “TuttomercatoWeb”, duke iu përgjigjur pyetjeve të ndryshme. Kundërshtarët e mundshëm, rivalët që duhen shmangur apo dëshirat e tij, janë enigmat të cilat vetë Duka i zgjidhi gjatë intervistës.
Një krijues i madh ishte padyshim trajneri Silvinjo.
“Kur u kualifikuam, trajneri ishte euforik. Ai bëri një punë të mirë, dhe ia arriti qëllimit. Ju them sinqerisht, asgjë nuk ndodh rastësisht. Duhet sakrifica, planet e duhura. Pa të, rezultatet nuk do të ishin këto. Janë fryti i gjithë kësaj. Regjia është e tij, por duhet të them shumë mirë edhe për D’Olivian, ai ka luajtur në Itali, është një ekspert që ka ndihmuar shumë. Ai, si Zabaleta, kanë ndërtuar një grup kompakt”.
Si lindi kjo zgjedhje?
“Nuk më kanë pëlqyer kurrë brazilianët si trajnerë, kur ma propozuan nuk isha shumë i bindur, por e takova dhe kur folëm për projektet na pëlqyen. Nuk them se u dashuruam. Megjithatë, sot është një operacion i suksesshëm”.
Në ndeshjen e fundit kishit shtatë lojtarë të Serisë A: Berisha, Gjimshiti, Ismajli, Hysaj, Asllani, Ramadani, Bajrami.
“Lidhja mes futbollit shqiptar dhe Ligës Italiane është e fortë. Kemi shumë fëmijë në Itali, janë gati 14 mijë shqiptarë të regjistruar në vendin tuaj, pothuajse të njëjtët futbollistë si në Shqipëri. Këtyre që janë në listë duhet t’u shtohet edhe Çuni nga Frosinone, ose Berisha nga Leçe, i cili tani për tani luan me U-21, por është pothuajse gati të bëjë hapin lart. Dhe pastaj do t’ju them Shpendin, i cili luan tek Empoli”.
Një nga më përfaqësuesit është Hysaj.
“Po, ka luajtur në nivel të lartë, por them edhe Gjimshiti që është kapiteni ynë”.
Një nga shpresat tuaja dhe të Interit quhet Asllani.
“Lojtar i mirë, me perspektivë. Ai është vetëm 21-vjeç, mund të bëhet një lojtar i madh… Një lojtar i mirë. Ai na ndihmoi shumë, luajti pothuajse gjatë gjithë kohës dhe bëri shumë mirë”.
Po Bajrami?
“Ai është një lojtar i madh, teknik, më tekniku në ekipin tonë. Shikoni golin që shënoi në Çeki, ishte barazimi vendimtar dhe mbetëm në lojë. Kemi djem të tjerë shumë të mirë, mbajeni mend emrin Mitaj. Ai luan në Rusi, por mund të bëhet një top lojtar”.
A e dini se Ramadanit i pëlqen Interi?
“Ai është një njeri i mirë edhe para se të jetë një lojtar i mirë. Ai është zemra e ekipit, vrapon shumë në fushë si në ekipin kombëtar ashtu edhe me Leçen. Jam i lumtur që ai po luan mirë në Serinë A.
Çfarë synimi keni për “EURO 2024”?
“Tani vjen pjesa e vështirë, do të takojmë ekipet e forta. Në letër arrijmë si një nga skuadrat më të dobëta, por duam të shkojmë përtej grupit. Nuk e di ku do të arrijmë, por i kemi kualitetet për të shkuar më tej. Dhe festa tashmë ka përfunduar, ne po përgatitemi për Gjermaninë. Trajneri është i uritur. Dhe nuk dua të takoj Italinë, ata janë një ekip shumë i fortë edhe pse nuk kanë arritur rezultate të mëdha kohët e fundit”, tha ai.