Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e lartë e Pakistanit pranon kërkesën e Imran Khan për lirim me kusht pak muaj para zgjedhjeve


Gjykata e Lartë e Pakistanit pranoi të mërkurën një kërkesë për lirim me kusht nga ish-kryeministri i ndaluar Imran Khan, tha avokati i tij, një ditë pasi një gjykatë tjetër e shpalli të paligjshëm gjykimin e tij me akuzat për nxjerrje të sekreteve shtetërore.

Ish-ylli i kriketit po lufton beteja të ndryshme ligjore me shpresën për të siguruar lirimin nga burgu dhe për të udhëhequr partinë e tij në një fushatë për zgjedhjet e përgjithshme të 8 shkurtit, të cilat rivali i tij i madh, një tjetër ish-kryeministër, shpreson t’i fitojë.

71-vjeçari u burgos më 5 gusht me tre vjet burg për shitje të paligjshme të dhuratave shtetërore gjatë mandatit të tij si kryeministër nga 2018 deri në 2022. Avokati i tij tha se Gjykata e Lartë kishte pranuar ofertën për lirim me kusht.

“Vendimi do merret në seancën e ardhshme pas argumenteve nga të dyja palët”, tha avokati Naeem Panjutha në një postim në X.

Asnjë datë nuk ishte caktuar për seancën, tha ai, duke shtuar se Gjykata e Lartë do kërkonte të dhëna nga qeveria për aplikimin.

Khan ka qenë në qendër të trazirave të stërzgjatura politike në Pakistanin e armatosur me armë bërthamore. Ai u detyrua të largohej nga detyra në vitin 2022 pasi humbi një votë mosbesimi në parlament, duke thënë se në atë kohë ushtria po përpiqej ta mënjanonte pasi ai u përplas me gjeneralët për emërimet e larta.

Partia e tij do përballet me partinë e Nawaz Sharif, një ish-kryeministër i cili u rrëzua në një grusht shteti të vitit 1999.

Sharif u kthye në shtëpi muajin e kaluar pas katër vjetësh vetëmërgimi për të ndihmuar partinë e tij të ruante pushtetin.

Kaosi politik ka përkuar me kushtet më të rënda ekonomike të Pakistanit në dekada, duke ngritur shqetësimin për të ardhmen e vendit me 241 milionë banorë. Pakistani ka një histori të gjatë të rivaliteteve politike që luhen në beteja ligjore.

Khan ka pasur dhjetëra raste të ngritura kundër tij. Ai ka hedhur poshtë akuzat për të cilat thotë se janë gatuar nga armiqtë e tij, përfshirë ushtrinë, për ta mbajtur atë jashtë politikës.

Ushtria, e cila ka qeverisur drejtpërdrejt ose mbikëqyrur qeveritë civile që nga krijimi i Pakistanit në vitin 1947, mohon përfshirjen në telashet e Khan.