Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë përfunduar hetimet paraprake ndaj Ilir Kapetani, Specialist i Shqyrtimit të Dosjeve pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
Ky i fundit ka kërkuar dhe ka marrë përfitime të parregullta, në formën e shumave monetare, nga qytetarë të ndryshëm dhe nga trashgimtarë të ish pronarëve, në këmbim të premtimit për të siguruar kompensimin financiar, gjatë trajtimit të kërkesave të tyre për kthimin dhe kompensimin e pronës.
NJOFTIMI I SPAK
SPAK njofton se i pandehuri Ilir Kapetani është akuzuar se ka kryer veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, të kryer në 22 (njëzetë e dy) raste.
Ndërkohë, të pandehurit D.L., A.G., D.D., V.Z., I.L., XH.V., G.T., L.A., J.Z., A.H., V.B., I.K., R.M., L.B., M.I., Y.N. dhe M.SH, të cilët janë subjektet që kanë dhënë përfitimet e paligjshme, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të kësaj çështje penale.