Izraeli ka pranuar mbajtjen e një armëpushimi me Hamasin, ndërsa janë zbuluar detaje lidhur me akordin që do të sjellë ndalimin e luftimeve që prej nisjes së konfliktit në 7 tetor.
Marrëveshja për lirimin e pengjeve u shpall nga zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Katarit, Majid al-Ansari, i cili zbuloi se pauza do të fillojë në orën 7 të mëngjesit me kohën lokale të premten, si në veri ashtu edhe në jug të Rripit të Gazës. Katari thotë se pret që të burgosurit palestinezë të lirohen “si rezultat i lirimit të pengjeve”, por ende nuk ka zbuluar shifra konkrete, ndërsa nga ana tjetër Izraeli ka konfirmuar se ka marrë një listë të atyre që do të lirohen të parët dhe po kontakton me familjet e tyre.
Hamasi ka konfirmuar se pauza katër-ditore do të fillojë në orën 7 të mëngjesit dhe thotë se katër kamionë me karburant dhe 200 kamionë me ndihma do të lejohen të hyjnë në Gaza në secilën prej katër ditëve.