Kryetari i Partisë Demokratike, zyrtare, Lulzim Basha ishte sot në Gramsh, ku u vizitoi një thertore të ndërtuar së fundmi.
Basha shkruan se shqiptarët shkëlqejnë kudo që janë thjesht duhet t’u japësh mundësi dhe kushte për të zhvilluar aftësitë.
Sipas Bashës sot problem është situata ekonomike që ka diktuar rënien e fuqisë blerëse.
“Në thertoren e Gramshit, ku është kryer një investim modern duke mundësuar një shërbim të sigurt dhe cilësor për konsumatorët.
Problem sot është situata ekonomike, që ka diktuar në rënien e fuqisë blerëse, duke dëmtuar kështu dhe punën e tregtarëve të mishit. Shqiptarët janë punëtorë dhe të zgjuar, që i’a kanë dalë të shkëlqejnë në çdo vend të botës, ata thjesht duan t’u japësh mundësi dhe t’u krijosh kushte për të zhvilluar aftësit e tyre”-shkruan Basha.
Basha zhvilloi edhe takime me fermerë në Gramsh. Kreu i PD-së tha se gjatë diskutimeve ata i shprehën mungesën e subvencioneve nga qeveria.
Problematikë tjetër që Basha dëgjoi ishte largimi i të rinjve dhe mungesa e investimeve në infrastrukturë.
Ndër të tjera Basha inkurajoi SPAK-un të hetojë subvencionet e dhëna në bujqësi.
“Në takimet e sotme me fermerët në Gramsh, u përballa edhe njëherë me problematika dhe sfida që mund të zgjidheshin nëse qeveria mund t’u kushtonte sado pak vëmendje.
Dëgjova shqetësimet për mungesën e subvencioneve, për largimin e të rinjve, për mungesën e investimeve në infrastrukturë, që e bëjnë edhe më të vështirë përballjen me këtë realitet të hidhur ekonomik.
33.5 milionë euro është shuma e abuzuar nga qeveria më e korruptuar e Europës. 54 raste janë identifikuar që paratë në vend që të shkonin për të mbështetur fermerët, kanë shkuar për restorante, shtëpi e hotele luksoze për klientë të qeverisë.
Ky është vetëm njëri prej rasteve, në një kohë kur korrupsioni i përhapur kudo, dëmton shqiptarët dhe i detyron ata të emigrojnë. Inkurajmë SPAK t’i japë fund pandëshkueshmërisë dhe të çojë para drejtësisë zyrtarët e korruptuar”-shkruan Basha.