Policia gjermane ka kryer bastisje mbarëkombëtare si pjesë e një goditjeje ndaj grupeve dhe individëve pro-Hamasit. Ministria e Punëve të Brendshme tha se operacioni kishte në shënjestër anëtarët dhe mbështetësit e dyshuar të Hamasit dhe Rrjetit të Solidaritetit të të Burgosurve Palestinezë (Samidoun), dy grupet e ndaluara në Gjermani.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser tha se pas vendimit të qeverisë gjermane në fillim të këtij muaji për ndalimin e dy organizatave, autoritetet tani po ndërmarrin veprime kundër aktiviteteve të tyre të propagandës dhe mbledhjes së fondeve. “Me ndalimin e organizatave Hamas dhe Samidoun në Gjermani, ne kemi dërguar sinjal të qartë se nuk do të tolerojmë asnjë glorifikim apo mbështetje të terrorit barbar të Hamasit kundër Izraelit”, tha Faeser.
Autoritetet gjermane njoftuan se në orët e para të ditës së sotme, policia bastisi 15 prona në pesë shtete federale gjermane për të zbatuar ndalimet dhe për të mbledhur prova mbi aktivitetet e dy organizatave
Sipas ministrisë, Hamasi ka rreth 450 anëtarë në Gjermani dhe aktivitetet e tyre ishin të përqendruara kryesisht në propagandë dhe mbledhje fondesh. “Anëtarët dhe mbështetësit e Hamasit në Gjermani gjithashtu po përpiqen të ndikojnë në diskursin politik dhe social. Nuk ka pasur asnjë veprim të dhunshëm nga Hamasi në Gjermani deri më sot”, tha ministria gjermane.
Qeveria gjermane ka marrë qasje më të ashpër kundër grupeve pro-palestineze pas përshkallëzimit të konfliktit në Gaza muajin e kaluar, si dhe ndaloi më shumë se 100 tubime dhe demonstrata. Autoritetet gjermane kanë pohuar se grupi “Samidoun” ka shkelur ligjet duke lavdëruar sulmet e kryera nga Hamasi, “me propagandimin e pikëpamjeve anti-izraelite dhe anti-semitike dhe mohimin e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar”.
Por, kritikët akuzojnë qeverinë gjermane se i ka dhënë një mbështetje të plotë politikave kontroverse të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe se ka mbyllur një sy ndaj krimeve të luftës të kryera nga ushtria izraelite në Gaza.