Vendosni fjalën kyçe....

PPP Thumanë-Vorë-Kashar, gati zhvendosja 3.1 mln euro për linjat e energjisë mbi trase


Fillimi ndërtimit të rrugës Thumanë-Vorë-Kashar, një partneritetit publik-privat i dhënë vitin e shkuar nga qeveria, ka sjellë nevojën e zhvendosjes së linjave të tensionit të lartë të energjisë që ndodhen mbi atë që është gjurma e rrugës, apo distanca e sigurisë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi se do të zhvendosen të paktën dy linja energjie ndërkohë që një e tretë do të jetë akomoduese e nevojave që lind nga kjo lëvizje dhe për këtë po kryhet një procedurë prokurimi me një fond limit prej 328 milionë lekë apo 3.1 milionë euro.

OST shpalli kontratën me objekt “Spostimi i linjave që preken nga gjurma e aksit rrugor Thumanë – Vorë – Kashar dhe instalimi i shtyllave të demontuara në linjën Fier – Rrashbull” duke dhënë detaje mbi linjat që preken nga ky projekt.

Linja e parë sipas OST është Linja L220-13/14 Koman – Tirana 2 e cila ndërpritet me trasenë e rrugës së re në 2 segmente.

“Me qellim respektimin e distancave te sigurisë me  trasenë e rrugës së re do të bëhet devijimi i linjës L220-13/14 Koman – Tirana 2 nga shtylla Nr. 198 deri në shtyllën Nr. 201 si dhe në segmentin e dytë nga shtylla Nr. 224 deri te shtylla Nr. 234. Për këto dy segmente është zgjedhur një trase e re për linjat L220-13/14 Koman-Tirana 2” vlerëson OST.

Ndërkohë linja e dytë është L110-2/2 Laç 1- Kashar dhe që ndërpritet me trasenë e rrugës së re  në kampatën midis shtyllave Nr. 133-134. Ndërhyrja e tretë do të jetë në linjën  220 – 15/3 Rashbull – Fier. Shtyllat e demontuara nga linja L220-13/14 Koman-Tirana 2 do të montohen në linjën L220-15/3 Rashbull – Fier.

Kjo procedurë e hapur nga OST dhe që lidhet me koncesionin e rrugës Thumanë-Vorë-Kashar vjen disa javë pas një tjetër procedure të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila nisi kërkimet për përzgjedhjen e inxhinierit të pavarur që do të mbikëqyrë zbatimin e kontratës së koncesionit të dhënë vitin e shkuar.

Kontrata e PPP Thumanë-Vorë-Kashar

Projekti i rrugës Thumanë-Vorë Kashar u fitua nga Kompanitë “G2 INFRA” dhe “Gener 2” përmes një kontrate që parashikon projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit në fjalë dhe kontrata kaloi në qeveri në maj 2022.

Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikonte mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) dhe 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkonin për përfituesit e kontratës.

Rruga me një gjatësi 21 kilometra fillon në Thumanë dhe vazhdon deri në autostradën Tiranë – Durrës, me te cilën lidhet me anë të një nyje të re në disnivel.

Autostrada e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vores dhe do të lidhë 2 pika: segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri (Fillimi i projektit) me autostradën Tiranë-Durrës në jug (Fundi i projektit).

“Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/ore (me tabela kufizimi shpejtësie për 130 km/ore. Përsa i përket funksionit kryesor që do të kryeje kjo autostradë në te ardhmen, ajo i përket Kategorisë A -Autostradë. Kategoria A, përbehet nga dy karrexhata te pavarura të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me të paktën dy korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, dhe me kontroll strikt të aksesit”, detajohet në një raport të kompanisë./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor