Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar të enjten që të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, t’u pezullohen vizitat dhe të gjitha komunikimet, përveç me ekipin e avokatëve.
Sipas ZPS-së, ata kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose shpërndarjen e përmbajtjes së dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë në Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet e Prokurorisë së Specializuar, sipas njoftimit, kanë zbuluar përpjekje të mëtejshme për të penguar procedurat nga të akuzuarit, pasi pretendohet se kanë biseduar me vizitorë duke i udhëzuar ata të bisedojnë me dëshmitarët potencialë, dhe t’iu tregojnë atyre çka të flasin.
Për këto arsye, Prokuroria ka kërkuar që Thaçit, Veselit dhe Selimit t’i pezullohen të gjitha komunikimet, përfshirë vizitat familjare fizikisht apo përmes Zoom, telefonatat dhe komunikimet me shkrim. Kjo do të jetë në fuqi, sipas Prokurorisë, deri në vendimin e trupit gjykues.
ZPS-ja ka urdhëruar që të ketë monitorim aktiv (nga një folës në gjuhën shqipe) të të gjitha komunikimeve jo të privilegjuara të tre të akuzuarve dhe ruajtjen e atyre të dhënave deri në përfundimin e gjykimit.
Prokuroria ka kërkuar që vizitat e privilegjuara të kufizohen vetëm për ekipin e avokatëve.
Madje, Prokuroria e Specializuar ka kërkuar që tre të akuzuarit të ndahen nga të paraburgosurit e tjerë që janë në Qendrën e Paraburgimit aktualisht.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./ Koha