Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) ka njoftuar sonte se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, kështu që votuesit serbë nga Kosova do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për votim në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Siç ka thënë kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviç, ata i kanë dërguar një letër së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë për mënyrat se si mund të mundësohet votimi në zgjedhjet në Kosovë.
“Ne jemi njoftuar nga zyra se nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë”, tha Dimitrijeviç, raporton agjencia serbe e lajmeve BETA.
Anëtari i KRZ-së, Nemanja Stankoviq, propozoi që KRZ t’i drejtohet Qeverisë së Serbisë për t’iu drejtuar UNMIK-ut dhe organeve të tjera, dhe të mos heqin dorë lehtë nga vota në Kosovë.
Anëtari tjetër i KRZ-së, Miroslav Vasiç, tha se nuk është e qartë se kujt i është drejtuar së ashtuquajturës Zyrë për Kosovë dhe çfarë përgjigje ka marrë, por se ka garantues ndërkombëtarë të marrëveshjeve të ndryshme dhe se kjo zhvendosje e vendvotimeve nuk duhet marrë lehtë.
Ndërsa Zhelka Radeta tha se deri në vitin 2022, OSBE kishte rol në zgjedhje, por tani nuk e ka më një të tillë, ndërsa e ashtuquajtura Zyra për Kosovë në letrën e saj ka treguar arsyet pse nuk ka mundësi të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë dhe se “zhvendosja e vendvotimeve ishte vendimi i vetëm i mundshëm dhe i drejtë”.