Nëntë ligjvënës, përfshirë ish-ministra, dhanë dorëheqjen të enjten nga partia kryesore opozitare greke SYRIZA dhe akuzuan liderin e partisë për drejtimin e saj “në mënyrë jodemokratike”.
Midis atyre që u larguan nga partia janë ish-ministrja e Punës Efi Achtsioglou, ish-ministrja Alternative e Jashtme Sia Anagnostopoulou, ish-zëvendësministri i Punës Nasos Iliopoulos, ish-zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos, një nga themelueset e partisë Meropi Tzoufi, ish-ministri Alternativ i Solidaritetit Social Fotiou Theano, ministri i Brendshëm Alexis Charitsis dhe ligjvënësit Ozgur Ferhat dhe Huseyin Zeybek, që të dy përfaqësojnë pakicën turke të vendit në Trakinë Perëndimore.
Duke komentuar këtë zhvillim, Iliopoulos njoftoi se ish-ministri i Financave Euklid Tsakalotos dhe ish-anëtari i komitetit qendror të partisë Peti Perka do t’i bashkohen atyre dhe do formohet një grup i veçantë parlamentar prej 11 deputetësh.
Në një deklaratë të përbashkët, ligjvënësit thanë: “Greqia është në një pikë kritike, po fitojnë terren perceptimet e djathta ekstreme dhe reaksionare. Përballë këtij zhvillimi, forcat e opozitës progresive shfaqen në distancë nga ankthet dhe problemet e qytetarit. Kjo është një çështje thellësisht politike. Mungon një projekt modern politik dhe social që të na bindë, jo retorikisht, por në praktikë, se mund të mposhtim dominimin e së djathtës”, thuhet në deklaratë.
Deklarata tha se “miliona grekë” presin një parti të krahut të majtë që mund të prodhojë zgjidhje progresive për problemet e vendit pasi “SYRIZA po zhytet në disreputacion”.