Vendosni fjalën kyçe....

Ben Blushi mërzitet me gjobën, policia rrugore sqaron rastin


Sot ish deputeti dhe shkrimtari Ben Blushi postoi një status në rrjetin e tij social Facebbok, ku bënte me dije se ishte gjobitur nga policia shqiptare teksa ishte duke ikur për në Kosovë, për të prezantuar romanin e tij më të fundit ‘Komploti’.

Blushi në shkrimin e tij thotë se policia shqiptare i vendosi gjobë 300 mijë lekë, pasi ishte me shpejtësi tej normës së lejuar. Gjatë kësaj procedure gjobëvënie, Blushi përmend madje edhe gazetarin Baton Haxhiun, ku polici i tregon se i kanë vënë edhe atij gjobë, por më të vogël.

Por këtë rast, shkrimtari e paralelizon me policinë e Kosovës, ku ai thotë se për të njëjtën arsye u ndalua nga ajo, por në vend të gjobës, policët i kërkuan romanin e tij ‘Komploti’

Lidhur me këtë rast Hashtag.al u informua se Ben Blushi është kapur me shpejtësi tepër të lartë nga radari në Rrugën e Kombit.

Për këtë shkelje të rëndë drejtuesit të mjetit Ben Blushi duhet t’i hiqej leja e drejtimit të mjetit. Po bazuar në Kodin Rrugor ai ka zgjedhur mundësinë e aplikimit të dyfishit të gjobës maksimale duke kërkuar nga polici rrugor mosheqjen e lejës së drejtimit.

Ndërkohë nëse e paguan gjobën brenda 15 ditëve, paguan vetëm gjysmën e vlerës.

Ndërsa shteasi Baton Haxhiu nuk figuron të ketë marre një gjobë si drejtues mjeti. Ai ka qenë pasgjer në një mjet, i cili dhe ai është gjobitur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor./ Hashtag.al

 

Statusi i Blushit:

Sot shkova në Prishtinë. Kalova Kukësin. Më ndalon policia. Maste shpejtësinë. Me radar. Isha me 144 km në orë. Shpejtësia e lejuar ishte 60 km. Më vunë gjobë. 300 mijë lekë. Të vjetra. Pse kaq shumë? Ne vëmë shumë gjoba. Sa shumë. I vumë dhe atij. Kujt?Baton Haxhiut. Sa i vutë?40 mijë. Të vjetra. Pse kaq pak?Na erdhi keq. Mora fletën e gjobës. U futa në makinë. Filloi shiu. U nisa. Kalova Prizrenin. Më ndalojnë prapë. Policia e Kosovës. Kishin radar. Isha me 129 km në orë. Lejohej 110. Polici afrohet. Hapa xhamin. Më kërkoi patentën. Ia dhashë. Shkoi te makina e tij. Policja tjetër ishte bjonde. Verifikuan patentën time. U kthye te unë. Më tha. Më jep një libër. Dola nga makina. Hapa bagazhin. Mora dy libra. Romanin “KOMPLOTI”. Nënshkrova dy autografe. Një për policin. Tjetrën për policen. Frynte erë. Rregullova flokët. U nisa. Arrita në Prishtinë. Kisha 300 mijë lekë më pak. Asnjë libër. Mbarova punë. U ula për drekë. Hëngra dy supa. Me perime. Ishin të nxehta. U ktheva. Nuk frynte më erë. Nuk binte shi. Nuk kishte polici. Eca shpejt. Asnjë gjobë. Arrita në Tiranë. Qesha shumë.