Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli merr listën e pengjeve që do lirohen nga Hamasi


Izraeli konfirmoi të enjten se ka marrë një listë fillestare të pengjeve të planifikuar për t’u liruar nga Hamasi.

“Zyrtarët përkatës po kontrollojnë hollësitë e listës dhe tani janë në kontakt me të gjitha familjet”, tha në një deklaratë zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Katari më herët të enjten tha se një pushim i planifikuar humanitare në Rripin e Gazës do fillojë në orën 7 të mëngjesit me orën lokale të premten.

“Grupi i parë i pengjeve civile do shkëmbehet rreth orës 16:00 të premten”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Majed al-Ansari në një konferencë shtypi në Doha.

Ai tha se 50 pengje do lirohen në katër ditë.

“Grupi i parë i pengjeve do të përfshijë 13 gra dhe fëmijë”, shtoi ai.

Të mërkurën, Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se u arrit një marrëveshje për një pauzë humanitare katërditore midis Izraelit dhe Hamasit.

Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë mbahen nga Hamasi pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez më 7 tetor.