Partitë e vogla opozitare kanë dalë sot në një deklaratë për mediat ku kanë propozuar ngritjen e një federate të opozitës ku të përfshihen të gjithë faktorët opozitarë.
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili propozoi platformën zyrtare, tha se ‘federata opozitare’ duhet të mandatojë një grup deputetësh që gëzojnë besimin e të gjithëve për të drejtuar aksionin e opozitës.
Pikat e propozuara nga partitë e vogla opozitare:
1-Krijimi i Federatës opozitare
2-Organizimi parlamentar, përfshihen të gjithë deputetët e opozitës të dalë nga zgjedhjet e 2021
3- Ngritja e një grupi pune për marrëdhëniet me ndërkombëtarët
4-Krijimi i senatit të opozitës, ku të marrin pjesë figura të shquara shqiptare
Sa i takon komisioneve të posaçme, Mediu tha se përfaqësuesit e opozitës duhet të zgjidhen nga vota e të gjithë deputetëve për të marrë pjesë në komisionin për Reformën Zgjedhore, duke theksuar se preferenca e partive opozitare është një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.
“Organizimi parlamentar, të përfshihen të gjithë deputetët e opozitës të dalë nga zgjedhjet e 2021. Rëndësi primare ka reforma zgjedhore. Propozojmë opozita të zgjedhë me votën e të gjithë deputetëve të saj përfaqësuesit në komisionin për reformën zgjedhore. Komisionet hetimore në respektim të drejtës kushtetuese të opozitës duhet të ngrihen në kontrollin e qeverisë.
Deputetët të mblidhen të paktën 1 herë në javë. Të gjitha partitë e federatës të paraqesin opinione për reformën zgjedhore deri në arritjen e konsensusit të përbashkët. Qëndrimi i partive tona është sistem proporcional kombëtar me lista të hapura”– u shpreh Mediu.
Nga ana tjetër, kryetari i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka tha se edhe Basha e Berisha duhet t’i thërrasin arsyes pasi opozita në këtë gjendje të shpërbërë nuk mund të mundë mazhorancën.
“Kjo është një iniciativë e jona, kemi bërë një propnocim publik. Edhe Basha edhe Berisha i kanë dëgjuar propozimet tona. T’i thërrasin arsyes sepse opozita në këtë gjendje, e shpërbërë e ka shumë të vështirë ta mundë këtë mazhorancë. Kemi qëllim të bashkohemi rreth një çështje më të rëndësishme. Duhet secili nga ne të lëshojë pak në personalitetin e vetë për t’i shërbyer të mirës së përgjithshme të opozitës”- tha Duka.