Hollësi të reja kanë dalë nga plagosja sot në Lezhë që ndodhi në afërsi të tregut të këtij qyteti.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pas një përplasje verbale për parkimin e automjeteve, ku shtetasi Marjan Kola ka nxjerrë pistoletën në sy të pasagjerëve dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të shoferit të mjetit, duke e plagosur këtë të fundit.
Pas krimit, ai është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia ka nisur hetimet për kapjen e tij.
Policia ka shpallur në kërkim shtetasin Marjan Kola.
“Rreth orës 11:00, në qytet Lezhë, në afërsi të shinave të trenit, gjatë një konflikti të çastit që dyshohet për parkimin e automjeteve, shtetasi M. K. banues në Kurbin, ka plagosur me armë zjarri shtetasin T. N. 35 vjeç, banues në Laç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është larguar menjëherë pas ngjarjes dhe vijon ndjekja nga ana e shërbimeve të Policisë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vendngjarje, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor”-njofton policia.