Vendosni fjalën kyçe....

Investimet në zonat e mbrojtura, Tabaku: Drafti për interesa të biznesit, Zhupa: PS ta tërheqë



Projekt-ligji për zonat e mbrojtura, i cili është propozuar nga 12 ligjvënës socialistë me qëllim investimet në këto zona, ka sjellë kundërshtimin në bllok të opozitës.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku thotë se ky ligj është porositur dhe hartuar për interesa të biznesit.

“Ky ndryshim i ligjit i porositur edhe qepur qartësisht për interesa biznesi do të lejojë që në zona ndër të tjera si “Syri Kaltër”, “Parku Valbonës” apo dhe “Lumi Egër i Vjosës” të lejohen ndërtime që konsiderohen me interes publik. Nga një ligj që ndalon në përputhje me legjislacionin e BE, në një ligj që lejon në përputhje me interesat klienteliste, nga një ligj që rregullon në një ligj që prish tërësisht faunën dhe florën e vendit” thotë Jorida Tabaku.

Reagim pati edhe deputetja e Rithemelimit, Ina Zhupa që I kërkoi 12 deputetëve iniciues, të tërhiqen nga nisma, që sipas saj, shkatërron zonat e mbrojtura.

“Qeveria dhe Parlamenti putinian, ndërkohë që kalojnë buxhetin e vjedhjes së taksave të shqiptarëve, ushqejnë, veç oreksit të tyre edhe atë të oligarkëve. Kanë vendosur t’ju ofrojnë më të pasurve dhe të fuqishmëve, edhe copat e fundit të territorit shqiptar, zonat e mbrojtura, që ata t’i shfrytëzojnë për resorte dhe fitime të reja” thotë Ina Zhupa.

Një ditë më parë, kjo nismë ligjore u kritikua edhe nga deputeti i PD zyrtare Arbi Agalliu.

Sipas projekt-ligjit, të depozituar në Kuvend më 20 nëntor me ndryshimet e reja, do të eliminohen pengesat e krijuara për projektet zhvillimore më zonat e klasifikuara si të mbrojtura në të gjithë vendin. 

Drafti kërkon ndryshime edhe për “Parqet Kombëtare”, si zonat me kategorinë më të lartë të mbrojtjes, duke parashikuar të bëhen përjashtime në ato raste kur Këshilli Kombëtar i Territorit, ministria përgjegjëse apo bashkitë mendojnë se investimi është me rëndësi kombëtare.