Vendosni fjalën kyçe....

Moti i keq në vend, ARRSH: Drejtuesit e automjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë në segmentet me dëborë


Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka dalë me një njoftim mbi gjendjen e akseve rrugore, pasi i gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq.

ARRSH i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore.

Gjithashtu, kërkohet ulja e shpejtësisë, respektimi i sinjalistikës dhe udhëzimeve të Policisë Rrugore.

Njoftimi i ARRSH

Reshjet e dëborës kanë filluar në zonën juglindore dhe në akset e Dajtit ku mjetet borëbastruese janë në terren dhe qarkullimi vijon pa probleme.

Në Përrenjas-Librazhd, në Xhyrë, si pasojë e reshjeve shoqëruar me erë të fortë ka pasur rënie të një peme në trup të rrugës, e cila është hequr menjëherë.

Në Rajonin Verior kanë vijuar reshjet e dëborës me intensitet, grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rruges dhe shpërndarjen e kripës, qarkullimi vijon pa ndërprerje.

Në Bypass-in e Qafë Murrizit për shkak të reshjeve të shumta të dëborës shoqëruar me stuhi dhe përdoruesve të mjeteve që nuk janë pajisur me goma dimri apo zinxhir kanë vështirësuar qarkullimin e mjeteve, por edhe të borëpastruesve.

Po punohet për spostimin e mjeteve nga trupi i rrugës për të lejuar borëpastrueset të vijojnë me pastrimin e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.