Vendosni fjalën kyçe....

111-vjetori i ngritjes së flamurit në Durrës, Begaj: Qyteti i parë i rilindjes sonë, përjetë mirënjohës qytetarëve të kësaj treve


Presidenti i Repubikës Bajram Begaj, mori sot pjesë sot në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Durrës, në përkujtim të 26 Nëntorit 1912.

Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit vlerësoi rolin e qytetarëve të Durrësit, që në atë kohë dolën në krah të patriotëve për ardhmërinë e Shqipërisë së pavarur dhe, gjithashtu, vizionin e tyre sot për transformimin e qytetit.

 “Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor, u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall.”- theksoi Begaj.

Presidenti Begaj, gjatë fjalë së tij në këtë ceremoni, shprehu mirënjohje për sakrificat që durrsakët kanë bërë gjithmonë për të mirën e vendit dhe mençurinë që kanë treguar, duke kapërcyër çdo ndasi për interesin kombëtar:

“Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e gjuhës, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi.                  

Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, si dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin, që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë”, – u shpreh ai.

Gjatë vizitës në Durrës për festën e flamurit, Begaj u takua me qytetarët dhe autoritetet drejtuese vendore. Gjithashtu, ndoqi një ekspozitë pikture për festat e nëntorit dhe zhvilloi një vizitë në sitet arkeologjike të Durrësit.