Vendosni fjalën kyçe....

4 vite nga tërmeti, familja Murati në Kurbin jeton ende në konteiner: Jemi në qiell të hapur, s’marrim as bonusin e qirasë


Familja Murati, në Shullaz të Kurbinit, prej 4 vitesh pret lajme për rindërtimin. Banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26nëntorit 2019 dhe 6 muaj më parë u shemb për t’i hapur rrugë rindërtimit, por puna ende nuk ka nisur.

Të gjendur në kushte të vështira 5 pjestarët e familjes Murati, edhe dimrin e pestë do ta presin pa strehëz. Konteineri është bërë banesa e tyre prej vitesh, por tashmë prej muajsh nuk marrin më as bonusin e qerasë. 

“Akoma banorët e Kurbinit jetojnë në qiell të hapur, gjysmën e shtëpisë ma ka zënë tërmeti, gjysmën ma ka shembur shteti. Shikoni ku i kam rrobat, frigoriferin, 4 vite në qiell të hapur. Bashkia thotë që nuk është dhën ende bonusi nga shteti, prej prillit nuk marrim bonusin e qerasë.” – thotë kryefamiljari Tahir Murati.

E zonja e shtëpisë Dëshira Murati tashmë e ka humbur shpresën për rindërtimin e shtëpisë së tyre.

“Për ne ka qenë shumë e vështirë, kanë ardhur shoqatat, nuk kam shpresë që do të bëhet kjo shtëpi, po gatuaj jashtë se janë dhomat e vogla.” – pohon ajo.

Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmetit i nëntorit 2019, që la të pastrehë rreth 2 mijë familje.

Aktualisht më shumë se gjysma e tyre kanë hyrë në shtëpitë e reja, ndërsa procesi i rindërtimit vijon.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja