Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë ton drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë.
Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmë-nëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.
Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve. Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.
Autoritetet thanë se kur njerëzit në bord pikasën ndjekjen e rojës bregdetare hodhën në det nëntë arkat me materiale, ku më pas u gjetën armatimet. Presidenti i ri i vendit Daniel Noboa, i zgjedhur disa ditë më parë, ka si sfidë kryesore bandat e lidhura me kartelet meksikane e kolumbiane të trafikut.