Vendosni fjalën kyçe....

“Festivali i Frutave” për majmunët në Tajlandë, spektakël për turistët


Ata mund të bëhen vërtetë shumë të bezdisshëm, por njëkohësisht janë magnet për mijëra turistë që vizitojnë provincën Lopburi rreth 150 kilometra në veri të Bangkokut ne Tajlandë. Një gosti me fruta e perime u përgatit enkas për majmunet në tempullin e tyre të lashtë të quajtur “Tre”.

Krijesat grabitqare vërshuan mbi gostinë e shtruar duke gllabëruar gjithçka gjetën.

E ndërsa turistët u argëtuan me spektaklin e pazakontë, organizatorët e festivalit të frutave thanë se kështu falënderojnë majmunët që tërheqin vizitorët duke ndihmuar ekonominë.

“Majmunët kanë qenë këtu që shumë kohë më parë, madje edhe para nesh. Është më mirë të bëjmë kompromise pasi të dy mbështetemi tek njëri-tjetri. Do të thotë ne kemi nevojë për turistë. E kuptoj se ndonjëherë majmunët u shkaktojnë telashe banorëve vendas, por ne i kemi sterilizuar për të zvogëluar numrin e tyre.” tha për Reuters një nga organizatorët.

E ndërsa turistët në tempull luftuan për të mos humbur sendet personale, qindra makakë, të njohur edhe si majmunë me bisht të gjatë, u panë duke u ngjitur mbi njerëzit dhe malet e frutave.

Eventi organizohet kryesisht për bamirësi. Festa, e cila kushton mbi 3 mijë dollarë, është një traditë e përvitshme nga banorët e zonës për të falënderuar majmunët që tërheqin qindra mijëra turistë.