Vendosni fjalën kyçe....

Katër vjet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, rindërtimi ende i papërfunduar


Ditën e sotme shënohen 4 vite nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019 ku humbën jetën 51 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Në orën 03:56, kur një lëkundje e fuqishme me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, që zgjati për rreth 50 sekonda me epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit goditi vendin tonë.

Lëkundjet e tokës, të cilat u ndjenë në disa qytete, shkatërruan shtëpi, pallate, shkolla, ndërsa për orë të tëra ekipet e kërkim-shpëtimit kërkonin për të mbijetuarit të ngecur në rrënoja.

Dëme të mëdha u shkaktuan në bashkitë e Tiranës, Durrësit, Shijakut, Krujës, Kamzës, Kavajës, Kurbinit, Lezhës, Rrogozhinës dhe Mirditës.

25 persona humbën jetën në Durrës, 25 në Thumanë dhe 1 në Lezhë. Midis viktimave ishin dhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç.

Procesi i Rindërtimit

Katër vite nga tërmeti procesi i rindërtimit i marrë përsipër nga qeveria nuk ka përfunduar.

Në Durrës ka ende pallate të parikonstruktuara ndërsa vijon procesi i ndërtimit të apartamenteve nga Emiratet e Bashkuara në Spitallë.

Një pallat i dëmtuar në lagjen 17 të Durrësit, i cili nuk është riparuar edhe pas katër viteve. Foto: Eriola Azizolli | Reporter.al

Ashtu si në Krujë ende ka apartamente të pa përfunduara dhe qindra familje presin për tu futur në shtëpitë e tyre.

Kryeministri Edi Rama inspektime në Krujë 23.10.2023

Në Tiranë nuk kanë përfunduar ende dy lagjet e reja, “Kombinati” dhe “5 maji” në të cilat ka nisur punimet por ecuria nuk duket se po ecën me ritme të shpejta.

Procesi i rindërtimit në Kavajë, Rrogozhinë, Vorë dhe Krujë pritet të mbyllet brenda këtij viti.

Pas katër vitesh Procesi i Rindërtimit vijon të rëndojë buxhetin e shtetit për shkak të vonesave duke sjellë alokime fondesh për bashkitë të cilat duhet të mbulojnë me qira familjet që ende nuk kanë marrë apartemente apo nuk i janë përfunduar shtëpitë, gjithashtu edhe për institucione shtetërore godinat e të cilave u shkatërruan.

Pamje nga Thumana e rindërtuar 26.11.2023