Vendosni fjalën kyçe....

Pas borës, ngrica, rruga e Arbrit totalisht e bllokuar, situata në qarkun Dibër dhe Korçë, dhjetëra fshatra pa energji elektrike


Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, vendin e kanë zënë ngricat.

Situata në Qarkun Dibër:

Pjesa më e madhe e rrugëve në qarkun Dibër është e paralizuar, ndërsa Rruga e Arbrit është totalisht bllokuar, për shkak të prezencës së akullit në rrugë.

Situatë problematike mbetet me furnizimin me energjinë elektrike.

Aktualisht thuajse të gjithë fshatrat e Qarkut Dibër është pa rrymë si pasojë e këputjes së telave dhe shtyllave.

Pa energji ka qenë edhe i gjithë qyteti i Bulqizës dhe një pjesë e Peshkopisë. Rrugët rurale janë të pakalueshme si pasojë e prezencës së borës që varion nga 20 deri në 40 centimetra.

Situata në qarkun Korçë:

Situata në qarkun e Korçës sot paraqitet normale në të gjitha akset rrugore dhe territorin e çdo bashkie, megjithatë reshjet priten të ndikojnë në disa pjesë të qarkut edhe në ditët në vazhdim.

Parashikimi nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, tregon se deri në datë 29 nëntor parashikohen reshje të tjera në formën e dëborës të herëpashershme në lartësim mbi 700-800 m, kryesisht nga dita e nesërme.

Apeli i Emergjencave Civile

Strukturat e emergjencave civile në çdo bashki, ekipet dhe mjetet borëpastruese të tyre dhe subjekteve të kontraktuara, kanë vijuar punën për heqjen e borës dhe shpërndarjen e kripës dhe qëndrojnë në monitorim të vazhdueshëm të çdo aksi, si dhe qarkullimi po kryhet pa probleme.

Në kushtet e borës dhe temperaturave të ulta, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit në këto zona dhe të pajisen me goma dimërore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore!