Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthim në veri të Mitrovicës pas mesnate, nuk raportohen të lënduar


Një shpërthim është raportuar në veriun e Mitrovicës pas mesnate.

Ky është shpërthimi i dytë me radhë pas atyre të 19 nëntorit, ku ishin regjistruar dy shpërthime, por pa dëme. Ende nuk dihet lloji i mjetit shpërthyes që u gjuajt.

Banorët shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve konfirmojnë për “Mitropol” se shpërthimi ishte shumë i fortë. Edhe banorët e jugut të Mitrovicës thanë se shpërthimi u dëgjua edhe në jug.

Shpërthimi është dëgjuar rreth orës 01:00, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani,tha  se policia nuk ka arritur ta konfirmojë saktë vendin ku është hedhur mjeti shpërthyes.

“Mbrëmë kemi dëgjuar një detonim. Nuk ka të lënduar e as dëme materiale”, u shpreh ai.

Ndryshe, ditë më parë persona deri tani të panjohur kane sulmuar me mjet shpërthyes pikëkontrollin policor në këtë lagje, por nuk kishte të lënduar. Tensionet në veri të Kosovës janë rikthyer pasi katër kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale më 23 prill janë vendosur në ndërtesat komunale.