Vendosni fjalën kyçe....

111-vjetori i Pavarësisë/ Prezantohet në Prishtinë ekspozita “Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”


Në vigjilje të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) u mblodhën sërish në Prishtinë, për të prezantuar ekspozitën e radhës, “Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ në dokumente arkivore”.

Të pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ishin Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, homologu i tij, Bislim Bislimi, studiues, përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore dhe qytetarë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido theksoi se bashkëpunimet e këtyre përmasave, përkojnë me vizionin e kësaj date historike për një Shqipëri të bashkuar.

 ”Në këtë vigjilje të Ditës së Flamurit, që është edhe dita kur në mënyrë të vijueshme shqiptarët treguan se janë bashkë, të jemi sot në Prishtinë e nesër në evenimentet që do të organizohen në Tiranë, për të kremtuar Shqipërinë e pandarë nga kufijtë e imponuar prej të tjerëve, kufijtë artificialë politikë. Nesër do të festojmë ditën  e Skënderbeut, të Pavarësisë, do të festojmë 28 nëntorin e Adem Jasharit, që po ashtu dha jetën për shqiptarinë”, u shpreh kreu i DPA-së.

Më tej, Bido shtoi se kremtimi i përbashkët i këtyre ngjarjeve me rëndësi kombëtare,  dëshmon se nuk ka kufij kulturorë në hapësirën shqiptare.

 “Komiteti është një nga organizatat politike më të mëdha që është krijuar ndonjëherë në trojet shqiptare, me përbërje të shqiptarëve të të gjitha trojeve, që ngritën zërin për Kosovën e shqiptarisë që ndodhej nën syrgjynosjen e Jugosllavisë. Është kënaqësi që sot përkujtojmë punën e palodhur të këtyre burrave dhe grave që mundësuan që identiteti shqiptar të mbijetonte në kushtet më të vështira të trevave të pushtuara. Janë themelet mbi të cilat Kosova do të ishte e pavarur 100 vite më vonë. Sot, kur shqiptarët gjenden në periudhën më të mirë të ekzistencës së tyre kombëtare, institucionet tona janë bashkarisht për të kremtuar këto data të rëndësishme të historisë kombëtare, që nuk kanë kuptim po u vendosëm kufij politikë. Nuk ka kuptim t’i ndjekim ata që tentojnë të krijojnë identitete të reja, shqiptariste ose kosovariste, në rrugët qorre që bëjnë”, përfundoi Bido.

Në fjalën e marrë, Bislimi vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me DPA-në dhe nënvizoi se përmes ekspozitave të paraqitura, festat kthehen në momente reflektimi mbi idealet kombëtare.

“Po takohemi sërish, pas katër ditësh, për të prezantuar një ekspozitë të radhës me një tematikë kuptimplotë. Kthimi në kujtesë i punës dhe i kontributit historik të Komitetit ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ përmes dokumenteve arkivore, është padyshim është një gjetje e rëndësishme për t’i kthyer festat e nëntorit të lavdishëm të shqiptarëve në momente reflektimi për secilën nga veprimtaritë e rëndësishme që lanë gjurmë dhe përjetësuan idealet kombëtare,” tha Bislimi.

Materialet dokumentare dhe fotografike të ekspozuara ilustrojnë angazhimin dhe kontributin e anëtarëve të Komitetit në drejtim të mbrojtjes së shtetit të pavarur shqiptar dhe arritjes së lirisë së Kosovës. 

Ky aktivitet u mbajt në kuadër të 111-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.