Vendosni fjalën kyçe....

Digat e mëdha, KKMD: 50 diga janë me rrezik të lartë, të instalohen sisteme alarmi


Të paktën 50 diga të mëdha në vend cilësohen se kanë rrezik të lartë dhe për këtë duhet të merren masa.

Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) në mbledhjen e tij të fundit ka parashtruar se duhet të instalohen sisteme alarmi për të paralajmëruar.

Komiteti ka parashtruar se gjatë vitit 2023 ka marrë edhe informacion për digat e mëdha në vend nga ku ka rezultuar edhe shifra mbi ato me rrezik të lartë në lidhje me dëmet dhe humbjet e njerëzve në zonat poshtë tyre.

“Pas diskutimeve të të gjithë anëtarëve të pranishëm si dhe duke pasur parasysh kërkesat e legjislacionit në fuqi rastet e fundit të fatkeqësive të ndodhura për shkak të prishjes së digave në Norvegji, Libi, Turqi dhe Nigeri, problematikat e konstatuara në lidhje me mungesën e sistemeve të alarmit dhe rrjeteve të tyre të transmetimit në digat e mëdha të vendit tonë, ardhjen e periudhës së reshjeve si dhe domosdoshmërinë e instalimit të këtyre sistemeve në diga dhe rrjeteve të tyre të transmetimit në zonat urbane poshtë tyre KKMD vendosi: tu kërkojë të gjithë shfrytëzuesve të digave të mëdha me rrezik të lartë të marrin masat e duhura emergjente për furnizimin dhe instalimin e sistemeve të alarmit në diga dhe rrjetet e tyre të transmetimit në zonat urbane poshtë tyre”, thuhet në vendimin e Komitetit që i referohet detyrimeve që lindin nga kuadri ligjor në fuqi.

Po kështu i njëjti vendim nënvizon se Komiteti në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe atë të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të përgatisin një Udhëzues lidhur me kërkesat kryesore të sistemeve të alarmit në diga dhe rrjetit të transmetimit në zonat urbane poshtë digave.

Në një tjetër pikë nga ana e Komitetit kërkohet që shfrytëzuesit e digave të mëdha me rrezik të lartë për humbjen e jetëve të njerëzve në zonat urbane poshtë tyre të përgatisin dhe përditësojnë hartat e përmbytjeve dhe planet e gatishmërisë për rastet e emergjencave civile për shkak të prurjeve maksimale apo prishjes së mundshme të ndonjë dige.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor