Vendosni fjalën kyçe....

Gjashtë nxënës dalin para gjyqit për vrasjen e mësuesit francez


Gjashtë adoleshentë kanë dalë para gjyqit në Paris më 27 nëntor për rolin e tyre në vrasjen e mësuesit Samuel Paty. Ky është gjyqi i parë, nga dy gjithsej, për rastin që tronditi Francën

Të dyshuarit arritën në gjykatën për të mitur, thanë burimet për AFP-në. Gjyqi ndaj tyre do të jetë i mbyllur për publikun dhe pritet të zgjasë deri më 8 dhjetor.

Mësuesi 47-vjeçar i historisë dhe gjeografisë ishte therur dhe më pas i ishte prerë koka, afër shkollës së mesme në Konflans-Seint-Honorine, në periferi të Parisit.

Sulmuesi i tij, refugjati çeçen, Abdoullakh Anzorov, 18 vjeç, u qëllua për vdekje nga policia në vendin e ngjarjes.

I riu vrau Patyn pas mesazheve të shpërndara në rrjetet sociale që thoshin se mësuesi kishte shfaqur gjatë orëve mësimore karikatura të profetit Muhamed të revistës satirike, Charlie Hebdo.

Paty kishte përdorur këtë revistë si pjesë të orës së tij të etikës për të diskutuar për ligjet për liri të shprehjes në Francë, shtet ku blasfemia është e ligjshme dhe karikaturat që përqeshin figurat fetare bëhen për një kohë të gjatë.

Vrasja e tij ndodhi disa javë pasi Charlie Hebdo ripublikoi karikaturat për profetin Muhamed. Fillimisht këto karikatura ishin publikuar më 2015, që nxiti një sulm të islamistëve në zyrat e kësaj reviste, të cilët vranë 12 persona.

Javën e kaluar, mësuesi Dominique Bernard u vra në Aras në veri të Francës nga radikal i ri islamik.

Vrasësi i dyshuar i Bernardit është Mohammed Moguchkov, vjen nga rajoni i Kaukazit Verior të banuar me shumicë myslimane.

Pesë nga adoleshentët që po përballen me gjyq, që ishin 14 ose 15 vjeç në kohën kur u vra Paty, po përballen me akuza penale të komplotit për të shkaktuar dhunë.

Ata akuzohen se e kanë vëzhguar Patyn dhe e kanë identifikuar atë para vrasësit në këmbim të parave.

Adoleshenti i gjashtë, i cili ishte 13 vjeç në kohën e vrasjes, akuzohet për pretendime të rreme pasi ai ka thënë se Paty kishte pyetur nxënësit myslimanë të identifikohen dhe të largohen nga klasa para se të shfaqte karikaturat.

Më vonë gjatë vitit do të nisë edhe gjyqi tjetër për këtë rast ku janë të përfshirë tetë të rritur./ REL