Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të mos ndërmarrim veprime që mund të tensionojnë edhe më shumë situatën. Ai këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media para takimeve të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel. Stoltenberg tha se propozimi i ri për draftin e Asociacionit mund të jetë një “hap konstruktiv” për të ecur përpara dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nxitëm edhe Prishtinën edhe Beogradin për t’u angazhuar në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne gjithashtu besojmë që propozimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara për të lëvizur këtë dialog në një drejtim më konstruktiv. Mesazhi im përsëri është për Prishtinën dhe Beogradin është që të dyja palët të përmbahen nga retorika nxitëse dhe sigurisht të mos ndërmarrin ndonjë veprim që mund të rrisë më shumë tensionet në rajon”, tha Stoltenberg.
Ai tha se NATO do të bëjë çfarëdo që është e nevojshme që të sigurojë stabilitet në rajon, duke përsëritur se kjo është e rëndësishme për NATO-n meqë në rajon ka histori dhe prezencë. “Sapo kemi rritur prezencën në Kosovë, duke shtuar ekstra trupa. Ne tani jemi duke vlerësuar nëse duhet të shtojmë më shumë trupa, por ne jemi duke ndërmarrë hapa të rëndësishëm me rritjen e prezencës tonë”. Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s do të takohen nga 27 deri më 29 nëntor në Bruksel dhe në qendër të takimit do të jetë agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. “Sekretari Blinken do të theksojë angazhimin e palëkundur të NATO-s ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus, do të theksojë mbështetjen tonë për demokracinë dhe qëndrueshmërinë rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe do të diskutojë përparësitë e takimit të Uashingtonit në korrik të vitit 2024”, thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.