Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese tha në 25-vjetorin e Gjykatës Kushtetuese se pushtetu gjyqësor mund të luajë rol vetëm kur është i pavarur.
Në fjalën e saj në Kuvend, Holta Zaçaj theksoi se kritikat ndaj sistemit gjyqësor janë tregues i lirisë së shprehjes po deri në çastin kur nuk kthehe në mjete sulmi ose presioni.
“Mos të harrojmë, pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës kanë qenë dhe janë fenomene, të cilat përbëjnë sfida të vazhdueshme të demokracive në zhvillim, por edhe të atyre të konsoliduara. Reforma kushtetuese e vitit 2016, e njohur si reforma në drejtësi, synoi shkëputjen e politikës dhe të ndikimit të saj në përzgjedhjen e gjyqtarëve të lartë, duke bërë kështu një përpjekje domethënëse për depolitizimin e gjyqësorit. Nga ana tjetër, gjyqësorizimi i politikës për shkak të referencës kushtetuese në veprimtarinë dhe proceset e politikëbërjes është një trend në rritje. Aksionet politike të rëndësishme e kanë devijuar diskursin politik nga organi i zgjedhur nga populli në një debat gjyqësor kushtetues. Kritikat ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj janë një indikator i lirisë së shprehjes, për të cilën ne të gjithë kemi luftuar, por deri në atë masë që nuk kthehen në sulm ose mjet presioni ndaj tyre.” – tha Zaçaj.