Vendosni fjalën kyçe....

“Forca e Sigurisë së Kosovës gati për t’iu bashkuar ushtrive aleate në NATO” – Osmani


Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme t’i bashkohet ushtrive të tjera aleate në aleancën e NATO-s, tha të hënën presidentja Vjosa Osmani.

“Për të arritur deri këtu, është derdhur shumë gjak që Kosova të ketë ushtrinë e saj, prandaj jam e bindur se çdo ushtar e vesh këtë uniformë me krenari dhe është gati të japë jetën për atdheun nëse është e nevojshme. ”, tha Osmani në një ngjarje në kazermën “Adem Jashari” në kryeqytetin Prishtinë.

Në këtë veprimtari morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe përfaqësues ushtarakë e diplomatikë. Të ftuarit ekzaminuan disa nga pajisjet ushtarake të ekspozuara në kazermë.

Osmani shtoi se FSK-ja është një forcë që e ka dëshmuar veten dhe po shërben në misione paqeruajtëse me ushtritë aleate në vende të ndryshme të botës. Kyeministri Kurti theksoi se qeveria është përqendruar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka dyfishuar buxhetin e saj në më pak se tre vjet.

“Ne pothuajse trefishuam investimet në armatim dhe katërfishuam numrin e oficerëve dhe ushtarëve tanë të stërvitur jashtë vendit. Në më pak se 32 muaj dërguam 1459 ushtarë dhe oficerë jashtë vendit,” tha ai.

FSK tradicionalisht hap kazermat e saj në mbarë Kosovën për publikun më 27 nëntor. FSK-ja është themeluar në vitin 2009 për të ofruar operacione për menaxhimin e krizave në Kosovë dhe përtej kufirit dhe për të shërbyer në operacionet e mbrojtjes civile në vend dhe në fatkeqësitë natyrore dhe emergjenca të tjera. Kosova e ka nisur procesin e shndërrimit të saj në Forca të Armatosura me ndryshime tligjore në vitin 2018. Procesi pritet të zgjasë 10 vjet.