Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi liron 12 pengje izraelitë ndërsa Izraeli 30 palestinezë


Hamasi liroi 12 pengje dhe Izraeli liroi 30 të burgosur palestinezë të martën, në ditën e pestë të një armëpushimi të brishtë, që ka mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës. Ndërmjetësit shpresojnë ta zgjasin armëpushimin edhe pse Izraeli është zotuar të rifillojë luftën.

Izraeli tha se 10 shtetas të tij dhe dy shtetas tajlandezë të liruar nga Hamasi u kthyen në Izrael. Menjëherë pas kësaj, Izraeli liroi 30 të burgosurit palestinezë. Armëpushimi pritet të skadojë pas një shkëmbimi tjetër të mërkurën mbrëma.

Drejtori i CIA-s, William Burns dhe David Barnea, i cili drejton agjencinë izraelite të zbulimi, Mossad, ndodhen në Katar, një ndërmjetës i rëndësishëm në bisedimet me Hamasin, për të diskutuar zgjatjen e armëpushimit dhe lirimin e më shumë pengjeve, tha një diplomat në kushte anonimiteti. Një zyrtar amerikan konfirmoi se zoti Burns ndodhej në Katar, duke folur në mënyrë anonime sepse planet e udhëtimit të drejtorit të CIA-s nuk publikohen për arsye sigurie.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të vizitojë rajonin këtë javë, gjithashtu me synimin për zgjatjen e armëpushimit.

Izraeli është zotuar të rifillojë luftën kundër Hamasit pasi të jetë e qartë se asnjë peng tjetër nuk do të lirohet, në bazë të marrëveshjes së tanishme.

Administrata e Presidentit Biden i ka kërkuar Izraelit të shmangë “zhvendosje të konsiderueshme të mëtejshme” të popullatës dhe viktima masive midis civilëve palestinezë nëse rifillon ofensivën dhe se duhet të operojë me më shumë saktësi në Gazën jugore sesa në veri, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti.

Hamasi, që është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, dhe militantë të tjerë ende mbajnë rreth 160 pengje nga 240, që u kapën në sulmin e tyre të 7 tetorit në Izraelin jugor. Izraeli ka thënë se është i gatshëm të zgjasë armëpushimin me një ditë për çdo 10 pengje shtesë, që liron Hamasi, në bazë të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara, por Hamasi pritet të bëjë kërkesa shumë më të mëdha për lirimin e ushtarëve të robëruar.

Izraeli është zotuar t’i japë fund sundimit 16-vjeçar të Hamasit në Rripin e Gazës dhe të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake. Kjo pothuajse me siguri do të kërkonte zgjerimin e ofensivës tokësore nga Gaza veriore në jug, ku shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës tani është përqëndruar. Është e paqartë se ku do të shkojnë ata nëse Izraeli zgjeron operacionin tokësor në jug, pasi Egjipti ka refuzuar të pranojë refugjatë palestinezë dhe Izraeli ka mbyllur kufirin e tij me Rripin e Gazës.