Djali i presidentit amerikan Joe Biden, Hunter Biden, shfaqi të martën gatishmërinë për të dëshmuar publikisht në hetimin e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve ndaj administratës së presidentit demokrat.
Një ligjvënës republikan me peshë kundërshtoi, duke këmbëngulur tek kërkesa për dëshmi me dyer të mbyllura.
Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane nisi në shtator një hetim me synimin për nisur procedurat për shkarkim të presidentit Biden. Hetimi ka në qendër marrëdhëniet e biznesit të të birit të tij, Hunter. Republikanët pretendojnë se në kohën kur ishte nënpresident, zoti Biden përdori në mënyrë të papërshtatshme ndikimin e postit të tij në favor të marrëdhënieve të biznesit të të birit, përcjell VOA.
Deri tani republikanët nuk kanë arritur të paraqesin prova që të dëshmojnë se presidenti Biden ka kryer shkelje. Megjithatë, janë ngritur pikëpyetje mbi etikën e disa veprimeve të tij lidhura me bizneset ndërkombëtare të familjes Biden.
Shtëpia e Bardhë mohon që presidenti të ketë bërë shkelje.
Si pjesë e hetimit, Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve ka thirrur 53 vjeçaron Hunter Biden, që të paraqitet në një intervistë me dyer të mbyllura më 13 dhjetor.
Avokati i djalit të presidentit e cilësoi të martën hetimin si të pavlerë, duke i thënë kryetarit të komisionit se një seancë dëgjimore publike ishte mënyra e vetme për të parandaluar “procesin tuaj të fshehtë dhe të njëanshëm”.
“Ne kemi parë se si i përdorni seancat me dyer të mbyllura për të manipuluar, madje edhe për të shtrembëruar faktet dhe për të dezinformuar publikun. Prandaj ne propozojmë një seancë të hapur”, u shpreh avokati Abbe Lowell në kërkesën ndaj kryetarit të komisionit James Comer.
Avokati tha se Hunter Biden ishte i gatshëm të paraqitej për një seancë publike më 13 dhjetor ose në çdo datë tjetër në dhjetor.
Ligjvënësi republikan, Comer tha përmes një deklarate se Hunter Biden mund të dëshmojë publikisht në një kohë të mëvonshme, por se më 13 dhjetor duhet të paraqitej siç ishte planifikuar.
“Hunter Biden po përpiqet të luajë sipas rregullave të tij në vend që të ndjekë rregullat e përcaktuara për të gjithë të tjerët. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk e pranojnë një gjë të tillë,” tha zoti Comer.
Shtëpia e Bardhë e ka quajtur hetimin një “fushatë shpifjeje” që “nuk ka nxjerrë asnjë provë”.
Në tetor Hunter Biden tha se ishte i pafajshëm ndaj akuzave se kishte gënjyer lidhur me përdorimin e drogës ndërsa blinte një pistoletë, në rastin e parë që i biri i një presidenti amerikan në detyrë ndiqej penalisht.
Prokurori i posaçëm David Weiss i ngriti akuzat kundër tij pasi një marrëveshje e propozuar më parë për pranimin e fajësisë nga ana e tij, dështoi. Prokurori Weiss po vazhdon hetimet për të përcaktuar nëse Hunter Biden ka shkelur ligjin e taksave.
Në fillim të këtij muaji, Hunter kërkoi lejen e një gjykate federale për të pasur qasje në dokumentet e administratës së ish-presidentit republikan Donlad Trump dhe zyrtarëve të lartë të Departamentit të Drejtësisë në atë administratë, si pjesë e mbrojtjes së tij kundër akuzave federale lidhur me blerjen e armës.