Ekipet e shpëtimit i kanë nxjerrë të gjithë 41 punëtorët e ndërtimit të cilët kishin mbetur të ngujuar në një tunel bjeshkor në Indi, pas shembjes së tij para dy javëve.
Qeveria e Uttarakhand, shtetit verior të Indisë, tha se janë shpëtuar të gjithë punëtorët e ngujuar brenda tunelit Silkayara për 17 ditëve.
Tërheqja e tyre nisi gjashtë orë pasi ekipet e shpëtimit e hapën një korridor për të arritur te burrat që u ngujuan më 12 nëntor kur tuneli u shemb.
Ambulancat janë parë të radhitura në hyrje të tunelit, për t’i transportuar punëtorët në spitalin që ndodhet rreth 30 kilometra larg.
Ambulanca duke bartur të mbijetuar nga shembja e tunelit në shtetin verior të Indisë, Uttarakhand, 28 nëntor 2023.
Ambulanca duke bartur të mbijetuar nga shembja e tunelit në shtetin verior të Indisë, Uttarakhand, 28 nëntor 2023.
Të ngujuarit ishin pajisur me ushqim, ujë, drita, oksigjen dhe ilaçe përmes një tubacioni, por ekipet e shpëtimit kishin hasur në shumë pengesa për ta hapur një rrugë për t’i shpëtuar ata.
Tuneli është pjesë e një autostrade me kosto 1.5 miliard dollarë, që është njëra prej projekteve më ambicioze të kryeministrit të Indisë, Narendra Modi.
Autoritetet nuk kanë treguar se çfarë e kishte shkaktuar shembjen, por ky rajon goditet shpesh nga rrëshqitjet e dheut, tërmetet dhe vërshimet./ REL