Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite do mirëpresë Ekspozitën Botërore 2030, mund Italinë dhe Korenë e Jugut


Kryeqyteti saudit Riad fitoi të martën të drejtën për të pritur Ekspozitën Botërore 2030, duke mposhtur lehtësisht kandidaturat rivale të Italisë dhe Koresë së Jugut.

Duke pasur nevojë për vetëm një raund votimi dhe duke siguruar shumicën e nevojshme prej dy të tretave të shteteve anëtare në asamblenë e përgjithshme të organizatorëve Bureau International des Expositions (BIE) në Paris, Riadi fitoi 119 vota, Busan i Koresë së Jugut 29 dhe kryeqyteti italian Roma 17, njoftoi BIE, përcjell Al Arabiya news.

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, përgëzoi mbretin Salman për përpjekjen e suksesshme të Riadit për të organizuar Ekspozitën Botërore 2030, njoftoi Agjencia zyrtare e shtypit Saudit.

Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan shprehu vlerësimin për vendet që mbështetën kandidaturën e Riadit, duke thënë se fitorja për të pritur Expo 2030 pasqyron besimin e botës te Mbretëria.

Princi Faisal tha se Princi i Kurorës Saudite, personalisht drejtoi përpjekjet për të siguruar që Riadi të jetë qyteti pritës për Ekspozitën Botërore 2030.

Pritja e Ekspozitës është e një rëndësie të madhe për Arabinë Saudite, pasi vendi kërkon të sigurojë ngjarjet kryesore në botë për të shfaqur Mbretërinë në të gjithë globin.

Arabia Saudite do të presë Kupën e Botës të Futbollit 2034, pasi doli si ofertuesi i vetëm për ngjarjen dhe tashmë po mirëpret një mori garash me motor, golf dhe sporte luftarake.

Data e vitit 2030 është jashtëzakonisht simbolike për Arabinë Saudite, që përkon me momentin kyç në programin Vision 2030 të Princit Fasial për të diversifikuar Arabinë Saudite ekonomikisht dhe kulturalisht.

Ekspozita e Riadit do të zhvillohet nga tetori 2030 deri në mars 2031 me temën “Epoka e ndryshimit: Së bashku për një të nesërme largpamëse”.

Roma dhe Seuli nuk u ndalën në përpjekjet e tyre.

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ishte në kryeqytetin francez vetëm javën e kaluar për të bërë një hap përfundimtar për kandidaturën e Busanit, ndërsa kryeministrja e ekstremit të djathtë të Italisë, Giorgia Meloni, ka shtyrë kauzën e Romës në Paris dhe gjetkë.

Të gjitha palët përdorën “yjet e tyre”, me Korenë e Jugut që solli me video ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon për të mbështetur kandidaturën e saj dhe aktoren italiane Sabrina Impacciatore si dhe yllin e tenisit fitues të Kupës Davis, Jannik Sinner.

Për Arabinë Saudite, ylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, i cili tani luan për skuadrën e Riadit, Al Nassr, u shfaq me një video-mesazh. Riadi është një qytet i mrekullueshëm dhe i gatshëm për t’ju mirëpritur të gjithëve.

Princi Faisal në prezantimin e tij përfundimtar u zotua për një “angazhim të palëkundur për të bashkëpunuar me të gjitha kombet për të ofruar një ekspozitë të ndërtuar nga bota për botën”.

“Ndërsa punojmë me zell për të rritur dhe transformuar ekonominë tonë, ne besojmë se përparimi i mbretërisë, zhvillimi rajonal dhe shëndeti i ekonomisë globale do të bëjnë hapa përpara.”

Ekspozita më e fundit Botërore u zhvillua në vitin 2020 në Dubai dhe Ekspozita e ardhshme Botërore do të zhvillohet në 2025 në Osaka, Japoni, me temën “Dizejnimi i shoqërisë të së ardhmes për jetën tonë”.

Kandidaturat e tjera për vitin 2030 erdhën nga kryeqyteti rus, Moska, dhe qyteti ukrainas i Odesës.

Rusia e tërhoqi ofertën e saj në maj 2022, menjëherë pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Odesa nuk hyri në listën përfundimtare të treshes së fundit të shpallur në qershor.