Vendosni fjalën kyçe....

Shpenzimet për interesat e borxhit u rritën me 17% në 10 mujor


Madhësia e borxhit në vlerë dhe rritja e normave të interesit i ka bërë më të larta shpenzimet për shërbimin e borxhit këtë vit.

Ministria e Financave raportoi se 10-mujorin 2023 se, shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 40,5 miliardë lekë me një rritje vjetore 17 për qind ose 5,9 miliardë lekë (56 mln euro) me shumë.

Rritjen më të lartë e kishin shpenzimet për shlyerjen e interesave të borxhit të jashtëm me rreth 23 % në krahasim me 10-mujorin 2022, ndërsa për borxhin e brendshëm rritja ishte me 13%.

Të dhënat tregojnë se interesi mesatar i bonove të thesarit dhe obligacioneve arriti në fund të 9 mujorit 2023 në rreth 4,2 për qind  në rreth 3 për qind në qershor të vitit 2022.

Pesha e borxhit që maturohet brenda një viti mbeti e lartë edhe gjatë vitit 2023, sidomos e bonove 12-mujore, teksa u vu re një rënie e emetimeve në instrumentet afatshkurtër 3 dhe 6-mujore, të cilat ishin më të zakonshme gjatë vitit 2022.

Të dhënat zyrtare në Ministrinë e Financave tregojnë se stoku i borxhit në vlerë u rrit me 14,4 miliardë lekë (138 milionë euro) në janar-shtator 2023.

Gjithashtu treguesi i borxhit mbeti pothuajse i pandryshuar edhe në raport me PBB-në. Detyrimet publike arritën në 64.01% të PBB-së në fund të 9-mujorit nga 64.46% që ishin në fund të vitit 2022.

Qeveria shqiptare parashikon një rritje me 18% të shpenzime për interesa të borxhit në buxhetin 2024. Shpenzimet për interesa parashikohen në vlerën 66.2 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në këtë shumë dhe kontigjencën për rreziqet e borxhit. Në terma realë, shpenzimet për interesa do të rriten me 0.3 pikë përqindje ndaj PBB-së krahasuar me buxhetin e vitit 2023 mbështetur në rishikimin e aktit të fundit normativ.

Vitin që vjen borxhi në raport me PBB do të jetë poshtë nivelit 60 për qind ndërsa këtë vit pritet të arrijë në intervalin 60-61% të PBB-së. Shqipëria renditet e dyta në Rajon, pas Malit të Zi për nivelin e lartë të borxhit në raport me PBB-në.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor