Vendosni fjalën kyçe....

10-mujori, buxheti akumulon suficitin më të madh në histori 457 mln euro


Në fund të 10 mujorit balanca buxhetore shënoi suficit 48 miliardë lekë (457 milionë euro), niveli më i lartë historik.

Ky suficit është akumuluar nga janari në tetor, ndërkohë që sipas aktit normativ 2023 në fund të vitit buxheti duhet të ketë një deficit rreth 55.4 miliardë lekë. Vitin e kaluar në këtë periudhë buxheti ishte me suficit 10,3 miliardë lekë.

Të dhënat më të hollësishme nga tabelat fiskale të Ministrisë së Financave tregojnë se, suficiti buxhetor është ndihmuar nga rritja e të ardhurave përtej planit fillestar dhe nga ana tjetër mosrealizimin e shpenzimeve në disa zëra si “Fondi Rezerve” dhe “Investimet kapitale”.

Përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit buxheti publik është deficitar pasi nevojat për shpenzime publike janë më të mëdha se të ardhurat dhe në këtë mënyrë akumulohet edhe borxhi..

Sektori publik në Shqipëri është i nënfinancuar në raport me Rajonin për shkak se administrata dhe pensionistët shqiptare kanë pagesa nga 30-40 për qind më të ulëta dhe vendi ka hendekun më të madh në infrastrukturë. Nga ana tjetër shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë vazhdojnë të jenë më të ulëtat.

Vetëm nga deficiti/suficiti qeveria ka në dispozicion më shumë se 1 miliardë euro. Burimet nga Ministra e Financave pohojnë se një pjesë e konsiderueshme e kursimeve do përdoren për të shlyer borxhin.

Pas konsultimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar borxhi në raport me PBB pritet të përmbyllet në nivelin 60 për qind këtë vit, nga 64 për qind që ishte në fund të 9 mujorit. Për të arritur këtë synim qeveria duhet të shlyeje rreth 87 miliardë lekë nga borxhi.

Pavarësisht nevojave të mëdha për shpenzime shumë tregues buxhetor nuk arrihen të realizohen. Dihet se nevojat për shpenzime në arsim dhe shëndetësi janë ende të larta, por në disa zëra vihen re mosrealizime.

Kontrolli i Lartë i Shtetit në kontrollet rutine evidenton se shpesh administrata publike ka kapacitete të pamjaftueshme për të alokuar fondet. Prokurimet e parregullta dhe ankimimet bëjnë që shumë shpesh tenderimi i fondeve publike të dështojnë edhe në zëra shumë jetik.

Duke lexuar kërkesat buxhetore të enteve publike dhe duke i krahasuar me buxhetet faktike vihet re se nevoja për financime në disa sektorë janë shumë me të larta.

Psh në Ministrinë e Arsimit për vite me radhe kërkesat për investimet e teknologjisë në shkolla kanë qenë shumë më të larta se, fondet buxhetore të miratuara dhe nga ana tjetër në qendrën spitalore më të madhe në vend kërkesat për medikamente janë 4 herë më të larta se financimet në dispozicion./B.Hoxha

VINI RE: Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Monitor