Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kërkon mosbindje civile nga kryetarët e degëve: Studioni pikat nevralgjike dhe veproni


Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me kryetarët e degëve të PD në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se kërkoi mosbindje civile nga kryetarët e degëve, ku tha se “Ne po e bëjmë tonën në Kuvend, ju studioni pikat nevralgjike dhe veproni”.

“Beteja që bëhet në parlament, duhet të zhvillohet dhe mund të zhvillohet në çdo pikë nevralgjike të këtij regjimi, të këtij vendi. Qëndrimit të tij antikushtetues duhet t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile. Protestën e zakonshme do e kishte kënaqësi, se është sadist, por ne duhet të heqim dorë nga protestat e zakonshme.

Protestat tona duhet ta bllokojnë regjimin. I cili nuk nguron të shfaqë të gjitha llojet e armiqësive.
A do pranojmë ne të mashtrojmë shqiptarët? Jo. Unë e kuptoj se zgjedhjet që kaluan kishin një seri dobësish dhe të metash. Por këto nuk e justifikojnë kurrë që Bajrët, Pëllumb Gjokat, etj të votojnë votat tona.
Dita e zgjedhjeve është për votim, nuk është për konflikt, nuk është për armë. Jo. Koha para tyre është për betejë, për betejë pa kthim. Dhe ne me Edi Ramën nuk kemi zgjedhje.

Ndaj dhe duhet të bëjmë gjithçka për të angazhuar anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, të rinjtë në veprim pa kthim, në betejë pa kthim. U takon ju në rrethet ku jeni, në degët ku jeni, të studioni pikat më nevralgjike dhe të merrni veprimet dhe qëndrime bllokuese. Me asgjë nuk tërhiqemi ne.

Gjithçka justifikon rrëzimi i një diktature. Kjo kërkon sakrifica, kjo kërkon guxim. Çdo mjet i mosbindjes civile është kushtetues, është legjitim ndaj një regjimi, ndaj një personi që ka uzurpuar të gjitha pushtetet.
Në rast se ne vendosim të qëndrojmë siç po qëndrojmë në parlament, ju garantoj se kohërat ai i ka të shkurtra. Se nuk ka diktaturë bande, që mund t’i rezistojë revoltës së një populli. Por ama revolta duhet të jetë revoltë.
Ndaj dhe ju ftoj ju, ftoj të gjithë drejtuesit e degëve, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët tanë, të rivlerësojnë edhe njëherë situatën në të cilën ndodhemi.

Cilido që e ndjen veten të lirë, i themi se liria e tij është kallp. Megjithatë, ta gëzojë po të dojë.
Por ata që kanë bindjen politike se pluralizmi politik është jetik, është vendimtar për një komb, për një familje, për një shoqëri që të ecë përpara, duhet të bashkohet me ne. Duhet të bisedojmë, t’i ftojmë.
Për ata, Edi Rama është po aq armik po kaq sa për ne. Ne po bëjmë një luftë për idealet tona, po bëjmë një luftë jo për PD-në, po bëjmë një luftë për Shqipërinë, për pluralizmin politik, për shoqërinë shqiptare.
Ky do jetë edhe lajtmotivi i Kuvendit”, u shpreh Berisha.