Vendosni fjalën kyçe....

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të mbajë një votim për shkarkimin e ligjvënësit George Santos


Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve nga të dyja partitë miratuan një vendim për ta hedhur në votim këtë javë propozimin për shkarkimin e kolegut të tyre George Santos. Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve më herët këtë muaj publikoi një raport të ashpër mbi shkeljet që ka bërë ligjvënësi republikan nga Nju Jorku, i cili përballet me një numër akuzash në një gjykatë federale.

Ligjvënësi republikan George Santos kundërshtoi propozimin e kolegëve të tij për të mbajtur një votim në Dhomën e Përfaqësuesve për shkarkimin e tij, duke thënë se shkarkimi i tij para mbylljes së procesit gjyqësor, do të ishte një veprim i pashembullt.

“Mendoj se të gjithë mund të jenë dakord se e drejta për një proces të rregullt gjyqësor është e rëndësishme, se ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar nga mënyra se si po trajtohet kjo çështje. Kërkoj nga të gjithë kolegët në Dhomën e Përfaqësuesve, që ta kuptojnë se çfarë do të nënkuptonte kjo për të ardhmen e këtij institucioni. Unë nuk do të jap dorëheqjen”, tha ai.

Ligjvënësi Santos i ka mbijetuar dy votimeve të mëparshme për shkarkimin e tij nga detyra.

Por, raporti i publikuar nga Komisioni i Etikës, pas një hetimi disa mujor, shkaktoi reagime të reja nga ligjvënësit.

Raporti i publikuar më 16 nëntor përmbante kritika të shumta ndaj ligjvënësit Santos, duke thënë se ai “është përpjekur të përfitonte financiarisht përmes mashtrimeve nga çdo aspekt i kandidaturës së tij për ligjvënës”.

Ligjvënësi Santos përballet me 23 akuza, përfshirë ato për vjedhje të identitetit të donatorëve të fushatës së tij dhe më pas përdorimin e kartave të tyre të kreditit për shpenzime të paautorizuara me vlerë prej dhjetëra mijëra dollarësh.

Ligjvënësi Santos gjithashtu akuzohet për raportim të rremë në Komisionin Federal të Zgjedhjeve se ai i kishte dhënë një hua prej 500 mijë dollarësh fushatës së tij, kur në fakt ai kishte vetëm 8 mijë dollarë në bankë. Huaja e rreme ishte një përpjekje për të bindur zyrtarët e partisë republikane se ai ishte një kandidat serioz, që meritonte mbështetjen financiare të partisë.

Komisioni i Etikës nuk ka dhënë rekomandime mbi mënyrën se si Dhoma e Përfaqësuesve duhet ta trajtojë çështjen e ligjvënësit Santos, duke theksuar se një veprim i tillë do të kërkonte një proces të gjatë, që do t’i jepte zotit Santos më shumë mundësi për të zvarritur llogaridhënien për veprimet e tij. Komisioni i Etikës tha se ligjvënësi Santos nuk ishte bashkëpunues gjatë procesit të hetimit.

Për shkarkimin e ligjvënësit George Santos do të duhen të paktën dy të tretat e votave në Dhomën e Përfaqësuesve. Ligjvënësi demokrat Robert Garcia, i cili paraqiti të martën propozimin, tha se votat për shkarkimin e ligjvënësit Santos do të siguroheshin me lehtësi. Nëse kjo ndodh, George Santos do të bëhej ligjvënësi i gjashtë, që shkarkohet nga kolegët e tij të Dhomës së Përfaqësuesve, i treti që nga fundi i luftës civile në Shtetet e Bashkuara./ VOA