Presidenti ukrainas Vladimir Zelensky, ka thënë se vendi mund të mos anëtarësohet kurrë në NATO. Deklarata u bë gjatë një takimi me studentë të universitetit në qytetin e Nikolaev të mërkurën.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me të ardhmen e sigurisë kombëtare të Ukrainës, Zelensky tha se nuk e dinte nëse Ukraina do ishte në gjendje të bashkohej me aleancën.
“Ne nuk e dimë se si do shkojë… Askush nuk do jetë në gjendje të përgjigjet me siguri. Ose do jemi në NATO, ose nuk do jemi në NATO. Ne duam, por…”, u përgjigj presidenti ukrainas.
Të mërkurën në Bruksel, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ripohoi se Ukraina mund të bëhet anëtare e bllokut, “kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”.
Ai shtoi se “Ukraina është në rrugën e NATO-s dhe drejt Bashkimit Evropian, me fillimin e procesit të anëtarësimit”.
Ukraina e bëri anëtarësimin në NATO një objektiv strategjik të politikës së saj të jashtme në vitin 2017.
Në vjeshtën e vitit 2022, Kievi dha kërkesën e tij zyrtare për t’u bashkuar me bllokun ushtarak pasi katër nga ish-rajonet e saj u pushtuan nga Rusia.