Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se nuk do të lejohet mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës për komunitetin serb të Kosovës muajin e ardhshëm, në mungesë të një kërkese zyrtare nga autoritetet serbe për këtë.
Ai i bëri këto komente në rrjetin social X, si përgjigje ndaj zëdhënësit të Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, i cili tha se një ditë më parë se blloku rekomandon që serbët e Kosovës të lejohen sërish të votojnë brenda Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 17 dhjetor.
“Nëse autoritetet e vendeve të tjera do të donin të organizojnë zgjedhje në Kosovë për diasporën e tyre, atëherë ato duhet të kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet tona një vendim pozitiv dhe mbështetje”, shkroi Bislimi.
Të mërkurën, Stano tha se serbët e Kosovës nuk janë lejuar nga autoritetet kosovare të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe se “ky vendim nuk është në frymën e dialogut, parimit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe ndërtimit të besimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Bislimi tha se Stnao “duhet ta dijë se” tentimi për të organizuar zgjedhje pa kërkesë paraprake apo vendim pozitiv “nuk është në frymën e dialogut dhe nuk i kontribuon ndërtimit të besimit”.
“Përderisa nuk ka asnjë kërkesë të drejtpërdrejtë zyrtare, nuk mund të ketë as vendim”, shtoi Bislimi.
Më 19 nëntor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një letër dërguar shefit të misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport, kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe.
Praktikat e mëhershme për zgjedhjet serbe
Sipas një praktike që daton nga viti 2017, serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në zgjedhjet serbe dhe votat janë grumbulluar nga OSBE-ja. Më pas ato vota janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytetet kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është lejuar nga autoritetet e Kosovës deri në vitin e kaluar. Më 2022, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ishte thënë se Serbia duhet t’i bëjë kërkesë direkte Kosovës për mbajtje të këtyre zgjedhjeve në territorin e saj.
Në prill të atij viti janë mbajtur zgjedhjet në Serbi, dhe për herë të parë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.
Si rezultat, serbët e Kosovës janë organizuar dhe me autobusë kanë udhëtuar drejt Serbisë, për të votuar.
Në janar të atij viti, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe një rezolutë, përmes së cilës u kundërshtua mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Vendet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Italia dhe Franca – dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje miratimin e rezolutës.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, ishin ato të 21 qershorit të vitit 2020, shkruan REL.