Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet edhe personi i tretë në lidhje me vrasjen e Liridona Murselit


Një person i tretë është arrestuar në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Murselit, që ndodhi orët e vona të së mërkurës.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës. 

Sipas medieve në Kosovë personi i tretë i arrestuar është Kushtrim Kokalla pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ai është dhe vëllai i një polici në Kosovë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë sot ka njoftuar për arrestimin e dy të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli, bashkëshortin e viktimës – Naim Murseli dhe dorasin e saj G.P (Granit Plava).

Sipas njoftimit, Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.

 “Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se autori, që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar 30 mijë euro nga Naim Murseli për të kryer krimin.

Liridona Murseli, rreth 30-vjeçare, u vra të mërkurën mbrëma gjatë një grabitjeje të armatosur, ndërsa bashkëshorti i saj me fëmijët kanë arritur që të ikin nga vetura. Ajo është varrosur sot në Cërmjan të Gjakovës./Telegrafi