Partitë opozitare në Kosovë thanë se e kanë marrë projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga diplomatët perëndimorë, dhe i cili po mbahej nën një vello fshehtësie që nga 21 tetori, kur u ishte paraqitur udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Asnjëra nga partitë nuk bëri komente të menjëhershme rreth përmbajtjes së projekt statutit i cili përcakton rolin dhe përgjegjësitë e Asociacionit.
Hartuesit e tij që në hyrje u referohen dokumenteve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës dhe respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të saj.
Në dokument thuhet se synimi kryesor është krijimi i mundësive për komunitetin serb që të përfitojë nga të drejtat e caktuara dhe përgjegjësitë komunale, tashmë të përfshira në Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi.
“Asociacioni, i themeluar me këtë statut siguron një kuadër vetëmenaxhues për komunitetin serb brenda vetëqeverisjes lokale aktuale dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj. Kuadri përfshin mbështetjen e ofrimit të bashkërenduar të shërbimeve në fusha të caktuara, mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të komunikimit të drejtpërdrejtë për komunitetin serb me qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Pushtetit Lokal”, thuhet në dokument.
Asociacioni, thuhet mes tjerash do të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të komunitetit serb të Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe nuk do të zëvendësojë, përjashtojë, ose zvogëlojë të drejtat dhe interesat e subjekteve të tjera juridike, që përfaqësojnë komunitetin serb të Kosovës.
Po ashtu, thuhet në dokument, Asociacioni në asnjë mënyrë nuk mund të zëvendësojë ose dëmtojë marrëdhëniet kushtetuese dhe juridike ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore në Kosovë.
Ky statut thuhet më tej rregullon përgjegjësitë, fushëveprimin, organizimin dhe funksionimin e organeve dhe të të gjitha punëve tjera të Asociacionit dhe ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.
Jo më vonë se 45 ditë nga shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese Asociacioni duhet të mblidhet për të zgjedhur pos tjerash udhëheqjen e kuvendit të tij si dhe presidentin dhe zëvendëspresidentin e Asociacionit, i cili siç thuhet, mund të zhbëhet vetëm me votën ne dy të tretave të delegatëve të tij. Ai do të ketë po ashtu këshillin drejtues që i ngjan një trupi qeverisës.
Asociacioni do të ketë simbolet e tij zyrtare, të cilat mund të përbëhen nga një flamur dhe një stemë dhe mund të përdoren vetëm krahas simboleve shtetërore të Kosovës.
Projekt statuti i njeh të drejtën Asociacionit që të bashkëpunojë edhe me agjencitë qeveritare në Serbi në formën e ofrimit të financave dhe ndihmës teknike, përfshirë pajisjet. Kjo mbështetje nga Serbia do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit nga autoritetet qendrore.
Po ashtu, dokumenti i njeh të drejtën Asociacionit të krijojë marrëdhënie dhe të hyjë në marrëveshje bashkëpunimi me të tjera asociacione vendore dhe ndërkombëtare të komunave, autoriteteve lokale, rajoneve dhe njësive të tjera të vetëqeverisjes lokale në shtetet tjera, në përputhje me ligjet në fuqi.
Asociacioni do të menaxhojë institucionet e arsimit dhe shëndetësisë, që financohen drejtpërdrejt nga Serbia, ndërsa kryetarët e komunave në veri të Kosovës do t’i ofrojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme listën e kandidatëve për postin e komandantit Rajonal të policisë.
Dy vitet e para të funksionimit të asociacionit do të vëzhgohen nga Bashkimi Evropian i cili do të vazhdojë ta bëjë këtë punë edhe më pas, nëse Asociacioni dhe Qeveria e Kosovës nuk vendosin ndryshe.
Projekt statuti parasheh po ashtu që çdo mosmarrëveshje ndërmjet Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore që nuk mund të zgjidhet me negocim të drejtpërdrejtë ose me mjete të tjera, do të trajtohet nga një komision arbitrazhi.
Teksti përfshinë edhe hollësi të tjera rreth funksionimit dhe përgjegjësive të Asociacionit, i cili mund të pësojë ndryshime përgjatë negociatave, vazhdimi i të cilave mund të zvarritet për shkak të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, që mbahen me 17 dhjetor.
Propozimi për projekt statutin u është dorëzuar palëve me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Më 26 tetor udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian takuan ndarazi në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për të diskutuar rrugën përpara drejt normalizimit, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, por akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi të nënshkruante. Presidenti serb tha ndërkaq se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme, por hodhi poshtë çdo mundësi të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Çështja e Asociacionit është Thembra e Akilit në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Palët në vitin 2013 u morën vesh për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Serbia ngulë këmbë për themelimin e tij, ndërsa Prishtina ka hezituar gjatë të themelojë Asociacionin që e sheh si kërcënim për një ‘Republikë Serbe’ si ajo në Bosnje e Hercegovinë.
Themelimi i Asociacionit është detyrim i përfshirë në marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit që u arrit më herët gjatë këtij viti, e cila synonte të ulte tensionet ndërmjet palëve, të cilat që atëherë u përkeqësuan duke arritur një pikë të lartë në fund të muajit shtator pas një sulmi mbi policinë e Kosovës nga një grup serbësh të armatosur, ku mbeti i vrarë një oficer policie.
Sulmi nxiti përpjekje të reja perëndimore për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve, mes palëve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon, shkruan VOA.