Vendosni fjalën kyçe....

Telefonata ‘e tensionuar’ e pazbuluar më parë, Papa Françesku e paralajmëroi presidentin izraelit kundër kryerjes së ‘terrorit’


 

Ndërsa bombat binin dhe tanket depërtuan thellë në Gaza në fund të tetorit, presidenti izraelit Isaac Herzog bëri një telefonatë me jo pak ngarkesë me Papa Françeskun. Kreu i shtetit izraelit po përshkruante tmerrin e kombit të tij pas sulmit e Hamasit më 7 tetor, ndërkohë që Papa lëshoi ​​një kundërpërgjigje të prerë.

“Është e ndaluar t’i përgjigjesh terrorit me terror”, tha Françesku, sipas një zyrtari të lartë izraelit të njohur me thirrjen, e cila nuk është raportuar më parë.

Herzog protestoi, duke përsëritur qëndrimin se qeveria izraelite po bënte atë që duhej në Gaza për të mbrojtur popullin e vet. Papa vijoi duke thënë se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi, por jo civilët.

Kjo telefonatë private do informonte interpretimet izraelite të deklaratës polemizuese të Papa Françeskut, në audiencën e tij të përgjithshme më 22 nëntor në Sheshin e Shën Pjetrit, se konflikti “kishte shkuar përtej luftës. Ky është terrorizëm.”

Mesazhi i marrë nga shkëmbimi diplomatik, ishte konsideruar aq “i keq” nga izraelitët saqë ata nuk e bënë publik – megjithatë implikimi dukej i qartë: Papa po e quante fushatën e tyre në Gaza një akt terrorizmi.

“Si mund të interpretohet ndryshe?” tha zyrtari i lartë, duke folur në kushte anonimiteti.

Vatikani nuk pranoi të sqaronte nëse Papa po i përshkruante publikisht apo privatisht veprimet izraelite në Gaza si “terrorizëm”. Por në një deklaratë për The Ëashington Post, Selia e Shenjtë pranoi një telefonatë midis Papës dhe Herzog-ut.

“Telefonata, si të tjerat në të njëjtat ditë, bëhet në kontekstin e përpjekjeve të Atit të Shenjtë që synojnë të frenojnë peshën dhe shtrirjen e gjendjes së konfliktit në Tokën e Shenjtë”, thuhet në deklaratë.

Një zëdhënës në zyrën e presidentit izraelit kundërshtoi të komentojë, duke thënë: “Ne nuk jemi të prirur t’ui referohemi bisedave private.”

Por fjalët publike të Papës kanë ngjallur një protestë nga grupet pro-izraelite, si Komiteti Hebre Amerikan, dhe kanë rindezur tensionet historike midis disa liderëve hebrenj dhe Vatikanit.

Në një farë kuptimi, komentet e Papës kristalizuan tmerrin global në rritje mbi humbjen e jetës civile në Gaza. Më shumë se 13,300 njerëz janë vrarë atje që kur Izraeli filloi fushatën e tij ushtarake në fillim të tetorit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës. Françesku dukej se reagoi si shumë grupet humanitare dhe liderët e tjerë botërorë.

Megjithatë, ekziston shqetësimi midis disa organizatave pro-izraelite se, edhe pse Vatikani ka më pak ndikim moral sesa dikur, Françesku ka potencial më të madh se shumica e liderëve politikë për të ndikuar në ndjenjat globale.

“Unë mendoj se rreziku është domethënës,” tha Karma Ben Johanan, një studiues mbi marrëdhëniet hebraike-kristiane në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

“Papa ka, edhe në botën tonë gjysmë laike, një pozitë morale dhe udhëheqja e tij shpirtërore vlerësohet shumë. Nëse implikimi është se Izraeli nuk ka të drejtë të mbrohet, rreziku është që ky të bëhet një opinion më popullor. Bëhet më e vështirë për marrëdhëniet hebreje-katolike”.

Brenda takimeve të Papës me familjet palestineze dhe izraelite

Më 22 nëntor, në orët para audiencës së tij të përgjithshme dhe komentit të “terrorizmit”, Françesku mbajti dy takime emocionale: një me të afërmit e njerëzve të vrarë në Gaza dhe tjetrin me familjet e pengjeve të marra nga Hamasi.

Në takimin me palestinezët, Papa qau ndërsa ata folën për numrin e madh të vdekjeve, tha Shireen Hilal, një profesor që humbi dy anëtarë të familjes. Ajo dhe të tjerët të pranishëm thanë se Françesku përdori fjalën “gjenocid” në anglisht.

“Ai e dinte saktësisht se çfarë po ndodhte, sa e vështirë është të jetosh në Gaza,” tha ajo.

“Ai i dinte të gjitha rrethanat. E dinte që nuk kishte energji elektrike, gaz, karburant, ujë të pijshëm, as ndihmë mjekësore. Ai gjithashtu e dinte se kisha po vuan në Gaza.”

Një zëdhënës i Vatikanit u tha gazetarëve se me sa dinte, Papa nuk kishte thënë “gjenocid”, por ai nuk e përjashtoi kategorikisht një gjë të tillë. Papa ka paralajmëruar rregullisht për vuajtjet në Gaza dhe ka bërë thirrje për më shumë ndihmë humanitare dhe një armëpushim të qëndrueshëm. Vatikani thotë se ai ka mbajtur gjithashtu kontakte të përditshme me një kishë katolike në Gaza që strehon 700 palestinezë.

Kritikët hebrenj të Papës ankohen se më gjerësisht, ai është përqendruar në gjendjen e rëndë në Gaza, duke e përmendur atë shpesh, pa i kushtuar një ndjenjë të barabartë zemërimi të humbjes së jetëve në Izrael, diçka që zyrtarët e Vatikanit e mohojnë.

Kritikët e tij gjithashtu e fajësojnë atë për dështimin për të denoncuar në mënyrë specifike komentet që ata i shohin si antisemite nga Sheikh Ahmed el-Tayeb i Egjiptit, imami i madh i xhamisë al-Azhar në Kajro, me të cilin Françesku kishte zhvilluar marrëdhënie të ngrohta.

Alfonso Pedatzur Arbib, kryerabini i Milanos, shprehu shqetësimin që Vatikani organizoi të takohej me izraelitët dhe palestinezët në të njëjtën ditë, sikur izraelitët të mos kishin të drejtë për “solidaritet ekskluziv”.

Familjet izraelite kishin shtyrë fort për një takim, i cili u bashkua vetëm pas negociatave të vështira në të cilat Vatikani u përpoq të shmangte dërgimin e një mesazhi politik. Megjithatë, izraelitët vijuan të ushtronin presion, duke shpresuar se pozita e papës do t’i ndihmonte kauzën e tyre.

Pas takimit, ata shprehën mirënjohjen, duke e përshkruar Papën si të dhembshur. Disa, megjithatë, thanë se ishin të zhgënjyer nga shkurtësia e audiencës – më pak se 20 minuta – dhe se kaq pak prej tyre ishin në gjendje të flisnin.

Disa u befasuan gjithashtu nga komentet e Françeskut disa orë më vonë, kur ai dukej se e barazonte reagimin e Izraelit në Gaza me terrorizmin.

“Në Romë, ne ndjemë se ai ishte me ne, por përballë botës ndihej pak më ndryshe”, tha Romi Cohen, 19 vjeç, vëllai binjak i të cilit mbahet peng në Gaza. Ajo shtoi, “Unë personalisht mendoj se krahasimi i dy palëve kur flasim për terrorin nuk është diçka që duhet të ndodhë”.

Polemika mbi pohimin e papës për ‘terrorizëm’

Komenti i Papës shkaktoi një stuhi të vërtetë.

“Papa, pikërisht se është i tillë, duhet t’i peshojë fjalët e tij”, tha rabini amerikan Abraham Cooper, drejtor i veprimit social global për Qendrën Simon Wiesenthal, i cili është takuar tre herë me Françeskun.

“Të tregosh ndjeshmëri për palestinezët që humbën të dashurit në Gaza është një gjë e denjë për t’u bërë. Por ajo që Papa po i afrohej dhe shpresoj se nuk arriti atje, ishte t’i jepte një barasvlerë morale masakrës mesjetare të sulmit të Hamasit dhe veprimeve të një vendi demokratik.”

Kardinali Matteo Zuppi, president i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë dhe njeri i besuar i Papës, u përpoq të riformulonte vërejtjen e Françeskut.

“Kjo nuk do të thotë të vendosësh të gjithë në të njëjtin nivel,” u tha Zuppi gazetarëve javën e kaluar.

“7 Tetori ishte një tragjedi, pikë. Ishte një tragjedi.”

Megjithatë, kundërsulmi vijoi. Kritikët e pyetën Papën për mosdënimin e qartë të Hamasit. Disa udhëheqës hebrenj sugjeruan se Françesku kishte një përgjegjësi jo vetëm të ngrihej në mbrojtje të Izraelit, por të merrte një qëndrim kundër një rritjeje alarmante të antisemitizmit.

“Ajo që po ndodh tani është një kthim në neverinë dhe demonizimin e hebrenjve,” tha Pedatzur Arbib. “Ka sondazhe shushatëse që thonë se shumica e studentëve italianë mendojnë se Izraeli mund të krahasohet me nazistët. Diçka e madhe po ndodh…të gjitha pengesat po braktisen. Unë do të prisja një veprim të qartë nga kisha, të cilin ende nuk e kam parë.”

Zyrtarët izraelitë – ndryshe nga rabinët dhe grupet hebraike – janë frenuar nga denoncimi publik i Papës.

Qeveria ka vepruar shpejt për të mbrojtur veten kundër kritikave të tjera për reagimin e saj ushtarak. Ajo është përfshirë në një luftë fjalësh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së António Guterres, kryeministrin irlandez Leo Varadkar, kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez dhe kryeministrin belg Alexander De Croo, mes të tjerësh.

Dallimi në rastin e Papës është pjesërisht sepse biseda me Herzog-un ishte konfidenciale, thanë burimet e brendshme izraelite. Por qeveria mund të shqetësohet gjithashtu se një luftë publike me Françeskun – me potencialin e tij për të ndikuar deri në 1.3 miliardë katolikë – mund të jetë edhe më e dëmshme sesa vërejtja e terrorizmit.

Çfarë thonë vërejtjet për Papën

Edhe kritikët e tij më të ashpër hebrenj nuk sugjerojnë se Françesku po trafikon antisemitizëm, një plagë që ai e ka denoncuar vazhdimisht.

Si një kardinal në Buenos Aires – shtëpia e një prej popullsive më të mëdha hebraike në botë – Françesku dihej se festonte festat hebraike me vendasit, duke ndihmuar në ndezjen e menorave gjatë Hanukkah.

Në vitin 2015, ai shënoi 50-vjetorin e Nostra Aetate – deklaratës së Vatikanit II që kërkonte të hiqte fajin e epokës biblike për vdekjen e Jezusit mbi popullin hebre – me një nga mbrojtjet më të forta të Izraelit nga një papë.

“Të sulmosh hebrenjtë është antisemitizëm, por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të Izraelit është gjithashtu antisemitizëm”, tha ai.

Megjithatë, më shumë se papët e mëparshëm, Papa i parë i Amerikës Latine ka mbrojtur gjithashtu të drejtat e njeriut, duke i parë të shkelurit me këmbë, të pafuqishmit dhe të shtypurit si kauzën e tij kryesore. Ai pasqyron mosbesimin dhe skepticizmin e përgjithshëm të Jugut Global ndaj Perëndimit dhe aleatëve të tij, si dhe pikëpamjet më simpatike ndaj palestinezëve dhe Rusisë.

Ishte në atë kontekst që Françesku vizitoi Betlehemin në vitin 2014 dhe u lut përpara një pengese ndarëse të Bregut Perëndimor me mbishkrimin “Palestina e lirë!”

Françesku është bërë edhe më pak i kujdesshëm në fazën e fundit të papatit të tij, duke u shprehur me terma të fortë dhe të çiltër. Vitin e kaluar, ai sugjeroi se presidenti rus Vladimir Putin kishte pushtuar Ukrainën pjesërisht për shkak të “lehjeve të NATO-s në derën e Rusisë”.

Ai kohët e fundit kritikoi një “qëndrim të fortë reaksionar” midis katolikëve amerikanë – duke hequr më pas një kritik, peshkopin e Teksasit Joseph Strickland, dhe duke hequr privilegjet tradicionale të një tjetri, kardinalit amerikan Raymond Burke.

“Këto janë me sa duket veprime spontane që në fakt përputhen me bindjet e tij,” tha Marco Politi, një biograf i Françeskut.

“Mund të ketë gafa,” tha Politi, siç ndodhi kur Papa dukej se lavdëronte të kaluarën perandorake të Rusisë në fjalët e pashkruara për të rinjtë katolikë në Shën Petersburg.

“Por kur ai flet për terror…është mendimi i tij sesi njerëzit e zakonshëm flasin, me fjalë të thjeshta. Vrasja e mijëra njerëzve në Gaza është terrorizëm, pikë.”

*Faiola dhe Pitrelli raportuan nga Roma dhe Loveluck nga Jeruzalemi. Miriam Berger në Jerusalem dhe Lior Soroka në Tel Aviv kontribuan në këtë shkrim

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post