Një person është qëlluar mbrëmjen e sotme në Lezhë i cili raportohet se është në gjendje të rëndë.
Raportohet se pre e plumbave të kallashnikovit është Eno Nikulaj.
Eno Nikulaj është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin.
Besohet se atentati ka ardhur si pasojë e gjakmarrjes, arsye për të cilën u vra edhe biznesmeni Nikulaj në prill të këtij viti nga një grup personash me pagesë.
“Rreth orës 21:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Ura e trenit”, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi E. N., 40 vjeç, banues në Shëngjin.
Si pasojë është plagosur shtetasi E. N., i cili është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore.
Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Ndërkohë, vijon intensivisht kontrolli i zonës”-njoftoi policia.