Vendosni fjalën kyçe....

Naim Murseli pranon se porositi vrasjen e bashkëshortes, ekzekutori: Më premtoi 30 mijë euro


Naim Murseli, ish këshilltari i presidentit të Kosovës Behgjet Pacolli, ka pranuar në polici se porositi në  polici vrasjen e bashkëshortes Liridona Murseli.

Ai u arrestua ditën e djeshme bashkë me autorin e krimit të rëndë, që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

Pas ngjarjes së rëndë Naim Murseli kishte dëshmuar në polici rrethanat duke pohuar se kishin rënë pre e disa grabitësve gjatë kohës që kishin qenë në makinë me bashkëshorten e fëmijët.

Pasditen e djeshme, policia e Kosovës ndaloi Murselin dhe personin që akuzohet se qëlloi për vdekje 30-vjeçaren, nënën e dy fëmijëve të mitur.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast.” – njoftoi dje policia e Kosovës.

Murseli e Plava, janë bashkëfshatarë ndërsa sipas mediave në Kosovë, të cilat citojnë burimet e tyre në prokurori, Murseli ka paguar fillimisht 15 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes, ndërsa gjysma tjetër e shumës së premtuar do paguhej pas krimit.

Granit Plava, i cili u ndalua para Murselit, ka pranuar në polici se ka qenë Naim Murseli ai i cili ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij dhe për këtë krim i ka premtuar 30 mijë euro, një pjesë të të cilave ia kishte dhënë paraprakisht.

Granit Plava

Mbrëmjen e djeshme, një person i tretë u arrestua për krimi e rëndë. Bëhet fjalë për nipin e Naim  Murselit, Kushtrim Kokalla, që është anëtar i FSK-së në Kosovë.

FSK-ja përmes një njoftimi për shtyp theksoi se do kryejë hetimet e saj lidhur me anëtarin e saj, të arrestuar për ngjarjen.

Ish-presidenti Pacolli, ka reaguar pas arrestimit të Murselit, duke i bërë thirrje drejtësisë të zbardhë ngjarjen e rëndë e të dënojë të gjithë përgjegjësit.

Po ditën e djeshme pas ceremonisë së varrimit, familjarët e Liridona Ademi Murselit, kanë kërkuar zhvarrimin e bijës së tyre nga varrezat e fshatit të Naim Murselit, pas arrestimit të Naim Murselit e daljes së lajmit se ai ishte porositësi i vrasjes.

Ndërkohë babai i Naim Murselit njoftoi po dje se kishte mbyllur ceremoninë e vizitave të njerëzve që shkojnë për ngushëllim.

Naim Murseli ishte  i fiksuar pas VIP-ave femra të botës shqiptares. Ai ekspozonte jetën e luksit e publikonte fotot me Dua Lipën, Rita Orën apo Olta Gixharin.