Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Samitin për Ndryshimet Klimaterike: Ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin për të na dhënë leksione, por nuk ndalen vetë


Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Emiratet e Bashkuara ku po merr pjesë në Samitin Botëror të Veprimit për Klimën COP 28, i cili zhvillohet çdo vit si një takim mes liderëve të shteteve dhe qeverive për të përcaktuar përgjegjësitë për veprimin ndaj klimës dhe për të identifikuar dhe vlerësuar masat klimatike.

Duke folur për marrëveshjen e Parisit për klimën, Rama u shpreh se realiteti është larg zotimeve të ndërmarra nga vendet, duke theksuar se barra e aksionit për klimën bie në shpatullat e vendeve në zhvillim si Shqipëria. Ai tha se vendet e mëdha japin leksione për pasojat katastrofike të ndryshimeve klimaterike por vetë nuk po bëjnë asgjë kundrejt kësaj.

“Si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë, por edhe i një rajoni që po ecën shpejt, por është ende në zhvillim në Europë, i quajtur Ballkani Perëndimor, qëndroj këtu para jush sot për të ndarë disa mendime.

Të gjithë e dimë se për dekada vende në zhvillim si i yni, janë rrekur në mënyrë të palodhur për të trajtuar sfida të zhvillimit ndërkohë që janë përballur me efektet negative të ndryshimit të klimës.

Dhe po, marrëveshja e Parisit ishte një rreze shprese, një premtim i bërë nga bota për të ruajtur planetin tonë dhe banorët e tij, e megjithatë realiteti është larg zotimeve të ndërmarra. 

Për ta thënë ashtu siç është, barra e aksionit për klimën vazhdon të bjerë në mënyrë shpërpjesëtimore në shpatullat e vendeve në zhvillim, pavarësisht kontributit tonë minimal në këtë krizë ndërkohë që ndotësit e mëdhenj bëjnë maksimumin e tyre për të na dhënë leksione, por jo për t’u ndalur vetë”-tha Rama.

Në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi se Shqipëria është një ndër vendet e rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë elektrike.

“Megjithatë ajo çfarë ne bëjmë, është ajo tek e cila besojmë dhe jemi zotuar të ulim emetimet e gazrave serrë në nivel global me 20.9% deri në 2030 dhe të arrijmë asnjanësinë klimatike deri në 2050. 

Së dyti, vendi ynë synon të bëhet lider energjitik në rajon dhe eksportues neto energjie deri ne 2030, por duhet ta dini që Shqipëria është një prej vendeve të rralla që nuk ka emetime të dioksidit të karbonit nga prodhimi i energjisë. 

Sigurisht nga ana tjetër, përballet me një rrezik ekstrem hidrologjik  sepse ne varemi nga klima edhe pse tashmë jemi në një diversifikim në shkallë të plotë me energjinë e erës dhe diellit”-u shpreh kryeministri.

Rama e përmbylli fjalën e tij duke përmendur edhe shpalljen Park Kombëtar të Vjosës si lumi i fundit i egër në Europë, ndërkohë që vendet e tjera të zhvilluara nuk e kanë një lum të tillë.

“Së treti, Shqipëria ka ecur përpara me zbatimin e praktikave të zgjidhjeve bazuar në natyrë gjatë viteve të fundit dhe këtë vit Vjosa, i pagëzuari lum i fundit i egër i Europës është shpallur Park Kombëtar në Shqipëri. 

Ishte për të qeshur sidoqoftë, sepse më të mëdhenjtë e më të pasurit rreth nesh në Europë, që kanë zbutur të gjithë lumenjtë e tyre na dhanë leksione gjatë gjithë kohës se sa e rëndësishme ishte të kishim një lumë të egër në Europë, por s’ka rëndësi, të qeshësh është mirë dhe angazhimi ynë është i fortë dhe real ndaj ne e bëmë dhe jemi plotësisht të përkushtuar që të vazhdojmë kështu”– shtoi ai.

Në fund ai falënderoi presidentin e Emirateve të Bashkuara Mohammed bin Zayed, të cilin e quajti vizionar pasi sipas tij po arrin të lidhë fjalët me veprat.