Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Liridona Murselit e grabitja e argjendarisë, policia e Kosovës zbardh në kohë rekord dy ngjarjet


Kosova është tronditur ditët e fundit nga dy ngjarje të rënda. Më 22 nëntor disa persona të armatosur grabitën një argjendari në Suharekë.

Gjatë grabitjes ata shkëmbyen zjarr me policinë duke plagosur një efektiv.

Një javë më vonë, mbrëmjen e 29 nëntorit, 30-vjeçarja Liridona Murseli u vra në prani të bashkëshortit dhe fëmijëve gjatë një grabitjeje.

Megjithatë pa kaluar pak ditë nga grabitja në Suharekë e vetëm 48 orë nga vrasja e Liridona Murselit, Policia e Kosovës ka arritur t’i zbardhë ngjarjet.

Ajo identifikoi autorët e grabitjes në Suharekë, Gjatë aksionit u vra njër nga autorët e grabitjes  dhe u arrestuan të tjerët.

Ndërsa në rastin e vrasjes së nënës së dy fëmijëve në Prishtinë, ajo ndaloi fillimisht autorin e dyshuar, Granit Plavën e më pas bashkëshortin e Liridona Murselit, Naim Murseli si dhe nipin e këtij të fundit, Kushtrim Kokalla.

Plava pohoi në polici se Murseli i kishte premtuar 30 mijë euro për vrasjen e bashkëshortes, gjë që u pohua më vonë edhe nga vetë Naim Murseli.

Majtas Naim Murseli, djathtas Granit Plava

Pak javë më parë, policia e Kosovës u përball me një tjetër ngjarje të rëndë në veri të vendit ku u vra efektivi Afrim Bunjaku nga një grup i armatosur që hyri në Banjskë nga Serbia.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme, disa orë më vonë policia e Kosovës zbuloi e rrethoi grupin e armatosur në Banjskë, duke ekzekutuar 3 prej tyre gjatë arratisjes me pjesë tjetër që mundi të kalonte kufirin. /Hashtag.al