Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohen lidhjet e vajzës së Berishës dhe dhëndrit me atë që… “bleu Amerikën për t’i shpallur non grata”


Unë gjithashtu kam denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja, duke ditur shumë mirë pozicionin por edhe lidhjet e panumërta të tij, multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe në gjykimin tim, si një armik të vërtetë të demokracisë në vendin tim…”

Kjo është një pjesë nga reagimi i Sali Berishës për sekretarin amerikan të shtetit pasi ky e shpalli në emër të qeverisë amerikane si person non grata në SHBA për arsye të përfshirjes në korrupsion madhor bashkë me familjen e tij, sot ndër më të kamurat e Shqipërisë.

Nuk mund të vësh dorën në zjarr se ç’mendon realisht Berisha për Sorosin. Kredibiliteti i tij në deklarime të tilla publike është zero, duke qenë se Berisha njihet për ndryshimet e qëndrimeve ndër vite në mënyrë ekstreme, sipas diarreve politike të momentit.

Në 2008 përshembull, Sali Berisha e shpallte George Sorosin “mik të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Në 25 janar të atij viti Berisha ka zhvilluar një takim me George Soros, në Davos të Zvicrës, në përfundim të të cilit Kryeministria deklaronte:

Në vijim të takimeve, në Davos të Zvicrës, kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, George Soros, financier dhe filantrop i njohur botëror. Gjatë bisedës me George Soros, kryeministri Berisha u ndal në ecurinë e reformave në Shqipëri, si dhe bëri një panoramë të arritjeve në fushën arsimit, kulturës, shëndetësisë...”

Ironia shtohet kur zbulon se pikërisht prej Sorosit kanë përfituar shuma financimesh familjarët e Berishës.

– Dokumentat tregojnë se në vitin 1994 Jamarber Malltezi dhe Argita Berisha, dhëndri dhe vajza e Sali Berishës, kanë shkuar për trajnime në Gjermani me paratë e Sorosit (2332 dollarë).

– Po këtë vit Klubi Studentor ‘Perla’ që drejtohej nga Malltezi dhe Argita Berisha, kanë marrë nga Soros për një aktivitet një javor 7350 dollarë.

– Në vitin 1999, Jamarbër Malltezi ka përfituar bursë nga Soros për studime në SH.B.A.

– Po në vitin 1999, shoqata e Argita Berishës, “Perla” ka marrë sërish fonde nga Soros për projektin ambjentalist “Njohja e Thesareve të Bregdetit” me vlerë 3870 dollarë.

– Ndërsa në vitin 2000, sërish “Perla” e familjes Berisha, ka marrë 4900 dollarë me projektin “Pjesëmarrje e Komunitetit në Nivel Lokal”.

Të gjitha këto financime gjenden në raportet vjetore të Fondacionit Soros. Por ka edhe më. Pa “korruptorin e madh të politikanëve” dhe “armikun e vërtetë të demokracisë”, vetë ish-kanakari i doktorit, Lulzim Basha, nuk do ishte diplomuar dot e ndoshta historia e tij nuk do ishte kjo që është sot.

DITA publikon sot tekstin e një e-maili që daton në 04 maj 2011. I është dërguar ish-drejtorit të gazetës Shekulli, sot kryeredaktor i Ditës, Adrian Thano, nga gazetarja holandeze Annete Van den Berg. E-maili përmban një prononcim të profesor Paul Herfs nga Universiteti i Utrechtit, ku Basha ka studiuar. Profesori ka qenë përgjegjës për ecurinë e studentëve shqiptarë në Utrecht dhe flet me pozitivitet të dukshëm për studentin Basha. Por ajo që ka rëndësi është historia që ai tregon. Studentëve shqiptarë, dy ose tre atë periudhë, në mes të formimit akademik u është ndërprerë financimi dhe ata kanë rrezikuar diplomimin.

Këtu e kanë bazën përfoljet se Basha nuk është diplomuar, nisur nga formim i tij i dobët intelektual dhe fjalori tejet i varfër. Profesori Herfs sqaron që Basha është rikthyer në shkollë dhe e ka vijuar atë falë… parave të Xhorxh Sorosit.

Gazetari Adrian Thano tregon rrethanat e këtij e-maili:

Shekulli ngriti një grup me gazetarë për të hetuar të kaluarën e Bashës. I ardhur nga hiçi, bënin përshtypje deklaratat e tij të pasurisë. Shumë para, prona dhe mjete luksi të deklaruara. I vetmi shpjegim ishte ai që qarkullonte atë kohë që gruaja e tij Aurela Isufi ishte bija e Xhafer Isufit një nga ish-drejtuesit e piramidës Vefa dhe për të cilin thoshin se kishte marrë pjesë në transferimin e parave të Vefa-s.  Ndoshta paratë ishin nga ato që iu vodhën shqiptarëve me mashtrimin e piramidave, gjithsesi ne donim të dinim veçanërisht për vitet në Holandë të Bashës.

Pajtuam dy gazetarë investigativë holandezë. Zbulimet ishin disa. Më të bujshmet që u botuan asokohe nga Shekulli ishin mospërputhjet në deklarimet e pasurisë me prona të blera e të shitura në Holandë. U botuan dokumenta kadastralë të Holandës që provonin mashtrimin. Historia është e gjatë, por Basha nisi të tundte nëpër media një deklaratë të ILDP, asokohe e drejtuar nga Adriatik Llalla, i cili më pas u bë kryeprokurori që njohim të gjithë; shërbime si këto e ndihmuan me siguri. Pjesa e shkollimit të tij, nuk u publikua asaj kohe, sepse mbizotëroi skandali me deklarimet e rreme të pasurisë, por ky e-mail i profesorit Herfs është dërguar si pjesë e këtij hetimi”.

Çfarë shkruhet në këtë e-mail? Më poshtë, pjesë prej tij:

HERFS: “E kam njohur Lulzim Bashën për një kohe të gjatë, që nga vitet ’90. Asokohe kam qenë këshilltar i studentëve në këtë qendër dhe shef i Zyrës së Pranimeve, ku edhe bëheshin kontaktet. Arsyeja pse unë dhe Lulzim Basha ramë në kontakt për herë të parë është se fondet për studimin e tij dhe studentëve të tjerë në Utrecht, papritmas, u ndërprenë.

Lulzim Basha, si dhe dy studentë të tjerë shqiptarë, kishin mundësi të studionin në Utrecht falë një fondacioni. Qëllimi ishte t’i mundësonte atyre të ndiqnin një studim të plotë akademik në gjuhën hollandeze. Kjo nënkuptonte se atyre iu duhej fillimisht të studionin hollandisht në Institutin James Boswell, pjesë e Universitetit të Utrecht.

Drejtuesi i fondacionit vendosi të ndërronte drejtimin e fondeve brenda ditës. Ky ndryshim plani qe pothuajse fatal për Lulzim Bashën dhe studentët e tjerë.

Në një moment të caktuar, u përfshi Fondacioni Soros. Që nga ai moment Soros u kthye në mbështetësin financiar të studentëve shqiptarë në Utrecht. Që atëherë ishte kolegu im z. Van de Kasteelen që mori rolin e koordinatorit midis grupit të studentëve shqiptarë dhe Fondacionit Soros“.

Pra Basha është diplomuar falë Soros. Edhe të dhënat financiare të Fondacionit Soros e konfirmojnë atë që thotë Herfs. Sipas grafikëve të tyre, në vitin 1995, me paratë e fondacionit Soros, kanë studiuar në Universitetin e Utretit në Holandë këta studentë: – Aurela Isufi (sot ashkëshortja e Lulzim Bashës) në degën Arte dhe Shkenca Humane, – Eris Hoxha, ish deputet i PD në Shkenca Ligjore, – Anila Peri, në Gjeografi Politike. Në vitin 1996 lista shtohet edhe me dy emra të tjerë: Lulzim Basha dhe Auron Çela.

Raportet janë me të njëjtët emra, deri në vitin 1998. Në raportin e këtij viti jepen edhe kostot e studimeve për secilin student. Secili prej tyre përfitonte 7324 dollarë. Që në 3 vite bëjnë afërsisht 22 mijë dollarë.

As Berisha e as Basha nuk i janë qasur më parë qartazi kësaj teme, madje Basha e ka mohuar ose ka folur me dykuptimësi dinake.

Eduard Selami zbulon një detaj gjatë një interviste televizive kur rivalizonte me Bashën në garën për kryetar të PD. Duke komentuar një takim të Bashës me demokratët në Korçë, Selami shprehu habi për fjalorin e përdorur nga Basha ndërsa fliste për Sorosin:

Kur Basha foli për Sorosin e portretizoi me ngjyrat më të errëta. Punë e tij, por nuk tha që kishte marrë burse prej tij. Unë për herë të parë Sorosin e takova me Bashën para një viti, bashkë me Grida Dumën dhe Basha u tregua i ngrohtë me Sorosin. I shprehu shqetësimet për atë që po ndodhte në Shqipëri, atëherë ndodhi abuzimi fizik i Strazimirit. Aty tha: Edhe unë jam një nga ata që kam përfituar bursë nga ju.  Dhe unë i them në takimin e Korçës, meqë ne duam të jemi të hapur, thuaje edhe këtu që ke marrë një bursë dhe e falënderove Sorosin për këtë. Ai tha që kjo ishte një propagandë dhe nuk e pranoi”.

Takimi për të cilin flet Selami

Kur Basha e quajti të pavërtetë deklaratën e Selamit, ai e sfidoi me dorëheqje.

Unë nuk e kritikova, i thashë që të kam dëgjuar kur ia ke thënë Sorosit, pranoje dhe këtu, ai tha që kjo thuhet nga kundërshtarët e mi për të më goditur mua. I thashë, që të kam dëgjuar me veshët e mi dhe nëse ti nuk i ke thënë, atëherë unë jap dorëheqje nga gara, se standardi është më i lartë se gara. E falenderoi Sorosin për bursën dhe në Korçë e mohoi. Kjo është lehtësisht e verifikueshme,” tha Selami.

Takimi për të cilin flet Selami ka ndodhur në 6 dhjetor 2014. Në këtë datë miliarderi Soros ka qenë në selinë e PD. Sipas njoftimit për shtyp të aso kohe të selisë blu, “kreu i PD i tha Soros-it se Shqipëria kërcënohet nga kursi antidemokratik i dyshes Rama-Meta, e cila është në kërkim të pushtetit absolut”. Në janar 2017 pyetjes së një gazetari afër PD për këtë takim, Basha iu përgjigj se “ai ka qenë një takim i kërkuar nga stafi i Sorosit”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Gazeta DITA.