Shqipëria luan kundër Italisë, Kroacisë dhe Spanjës në finalet e Europianit 2024 që zhvillohet verën që vjen nga 14 qershori – 14 korrik në Gjermani. Dje kuqezinjtë e Sylvinhos u shortuan në grupin B, me tanët që nuk mund të kishin “peshkuar” kundërshtar më të fortë se dy kampionë bote dhe një nënkampione.
Tanimë interesi i tifozëve është për biletat, me UEFA-n që ka hapur procesin e regjistrimit, fill pas shortit të goglave dhe përcaktimit të grupeve. Të gjitha biletat do shiten në faqen zyrtare të UEFA-s dhe asnjë federatë nuk do ketë akses në to.
Tifozëve u kërkohet që të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe të aplikojnë për bileta për ndeshjet e preferuara të Kombëtares shqiptare. Regjistrimi nis në datën 4 deri më 12 dhjetor 2023, pasi Kombëtarja shqiptare ka njohur kundërshtarët në grup dhe stadiumet ku do të luajë.
Në momentin që regjistroheni, ju duhet të identifikoheni si tifoz i Kombëtares shqiptare, duke zgjedhur ndeshjet e Shqipërisë (flamur shqiptar). Gjithashtu, ju duhet të përcaktoni edhe numrin e biletave që doni të keni në dispozicion.
Me një llogari, ju mund të blini deri në 4 bileta për një ndeshje. Nëse kërkesat dhe aplikimet tejkalojnë disponueshmërinë e biletave që i jepet si kuotë tifozëve shqiptarë, UEFA do të hedhë një short për të gjithë personat që kanë aplikuar si tifozë të Shqipërisë. Fituesit do të njoftohen me e-mail për të paguar biletat e tyre në janar të vitit 2024.
Procesi
Faza e parë e klasifikimit për bileta ka përfunduar. Sipas UEFA-s, kishte rreth 20 milionë aplikime për rreth 1.2 milionë bileta që u shpërndanë para shortit.
Pas përcaktimit të grupeve të raundit paraparak më 2 dhjetor, vijon faza tjetër, në të cilën do hidhen në treg rreth një milionë bileta. 500,000 bileta të tjera do të dalin në shitje pas raundit play-off në mars. Në total ka rreth 2.7 milionë bileta për 51 ndeshjet e turneut. Të gjitha biletat janë të personalizuara dhe do të jenë vetëm në formë digjitale për të shmangur çdo abuzim.
Mbi 1.2 milionë bileta u vunë në dispozicion në raundin e parë të aplikimeve për biletat e Euro 2024, i cili u zhvillua nga 3 tetori deri më 26 tetor 2023. Biletat u shpërndanë nëpërmjet një procesi lotarie të portalit UEFA.
Për secilën ndeshje, çdo kombëtare do ketë në dispozicion 10 mijë bileta. Ndërkohë që të shumtë pritet të jenë tifozët e Shqipërisë që do e sigurojnë një të tillë si tifozë neutralë. Me stadiumet në Gjermani që kanë më shumë se 70 mijë vende për çdo ndeshje, nuk do ishte çudi që stadiumet e Dortmundit, Hamburgut dhe Dusseldorfit të ishin në shumicë shqiptarësh.