Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutimi i Entjan Nikulajt në Lezhë, sekuestrohen 25 gëzhoja, në pyetje disa persona


Një 40-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në një atentat të mirë organizuar në Lezhë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21 e 30 minuta të mbrëmjes së 2 dhjetorit në aksin rrugor Milot-Lezhë në vendin e ruajtur “Ura e Trenit” në hyrje të qytetit. 

Objektiv i sulmit me armë ishte Entjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit të vrarë me 19 prill të këtij viti.

40-vjeçari u qëllua me breshëri plumbash teksa po lëvizte me automjetin e tij fouristrade ML në drejtim të Lezhë. Nga të shtënat me armë fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën disa minuta më vonë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në disa pjesë të trupit.

Sipas Shqiptarja.com, 60 minuta pas ngjarjes u gjet një automjet duke u djegur në afërsi të Rinasit, brenda se cilës kishte dhe në armë zjarri automatik. Nga pamjet e kamerave të sigurisë në vendin ku ndodhi ngjarja, rezulton se kjo makinë BMW ngjyrë gri me targa të denoncuara të vjedhura në Tiranë është përdorur nga autoret në atentatin ndaj 40-vjeçarit Entjan Nikulaj. Ata mendohet të kenë qenë dy persona, ndërsa një i tretë mund t’i ketë informuar mbi lëvizjet e objektivit të tyre.

Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje disa persona, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 25 gëzhoja automatiku. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj, ku 40-vjeçari Entjan Nikulaj është viktima e tretë në harkun kohor të pak muajve, pasi pas vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj, në muajin korrik u ekzekutua me armë zjarri në Balldre Nikolin Lekstakaj.