Vendosni fjalën kyçe....

Kurti reagon për vrasjen e Liridona Ademajt: Kriminelët të marrin dënime të merituara dhe maksimale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për vrasjen e Liridona Ademajt me porosi të bashkëshortit të saj.

Kurti thotë se vrasja u bë me paramendim dhe për shkakun se ka qenë grua.

Sipas Kurtit, nuk mjafton vetëm arrestimi i kriminelëve po krimet duhet të marrin dënime të merituara dhe dënim maksimal.

Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin” – shkruan Kurti.